MC Networking

Olsi Rama në “Bilardo”: Pse nuk kam dashur t’i hyj politikës/ Ja përgjigjja mbi akuzat në lidhje mbi bitcoins-at e Call Center-at

Drejtori i përgjithshëm i Partizanit Olsi Rama tha në emisionin “Bilardo” se nuk ka pasur asnjëherë dëshirë që t’i hyjë politikës aktive.

Rama vuri në dukje se në politikë duhet të jesh aktor i një loje që mund të jetë me kosto në aspektin personal. 

Pyetjes së moderatorit Denis Dyrnjaja: A ke dashur të hysh në politikë, Olsi Rama i përgjigjet: 

Në politikë hija e vëllait tim ka qenë shumë e madhe. Nuk kam pasur asnjëherë dëshirë t’i hyj politikës, sepse e kam parë jetën time gjithmonë në një këndvështrim tjetër, të bazuar në punë. Edhe kur kam shokë të mi që kanë tendencën t’i hyjnë politikës, u them: Je djalë i mirë, je djalë i zoti, merru me një biznes privat, do jesh më i qetë.  
Unë brenda kuadrit tim personal i kam kërkuar gjithmonë vetes që unë mendimin tim do ta them të drejtë, edhe në qoftë se s’i bie për mbarë dikujt tjetër. Në jetën private këtë mund ta bësh me shumë më tepër komoditet. Në politikë duhet të jesh aktor i një loje tjetër, dhe nuk dua që të më tjetërsojë këtë pjesë të karakterit tim. Besoj edhe politika bëhet me ndershmëri, por mund të ketë një kosto që për mua mund të jetë shumë e madhe. Unë besoj që të merresh me politikë duhet të kesh një shtysë të brendshme shumë të madhe”.

I pyetur mbi akuzat që janë bërë në drejtim të tij në lidhje me bitcoins-at apo Call Center-at, Olsi Rama tha:

Më kanë lidhur me gjëra që edhe unë i kam të dëgjuara nga gazetat!  Për sulmet mediatike, unë e para e punës krijoj një lloj barriere, sepse e di që s’kanë të bëjnë me mua, por me tim vëlla.  Unë jam thjesht një personazh i sulmuar, t'i biem pragut që të dëgjoj dera! Kam mbajtur një profil të ulët sepse kam thënë që s’kanë të bëjnë me mua. Është ajo pjesë e tymnajës dhe zhurmës. Kur thashë që jetojmë në një epokë ku informacioni shpërndahet nga shumë shpejt dhe nga burime të  ndryshme, sigurisht që  interneti është një e mirë e madhe po aq sa është  edhe një gojë edhe për injorantët dhe keqdashësit”.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top