MC Networking

Historia e bixhozit në Shqipëri/ Mbyllja dhe rikthimi i lojërave të fatit

Bixhozi është i vjetër sa dhe vetë historia e njerëzimit.

Në Shqipëri ai ka qënë i rregulluar me ligj që në vitin 1922.

Ky shërbim duhet të ofrohej vetëm nga një kompani e cila do të kishte dhe të drejtën për lëshimin e letrave të lojës.

Ndalohej të luanin të miturit dhe ishte e jashtë ligjshme të ushtroje aktivitetin pa leje nga autoritetet. Komunizmi e ndaloi bixhozin.

Për disa dekada shqiptarët nuk lejoheshin të luanin kumar, edhe pse në fund të viteve 80’ pati një ringjallje të aktivitetit ilegal të kësaj industrie dhe larg syve të shtetit.

Njësoj si çdo gjë e ndaluar, në fillimin e viteve në 90’ bixhozi do të niste lulëzimin.

Pokeri, loja me zara, bastet, por më shumë bingot dhe llotaritë, do të bëheshin lojrat e preferuara të shqiptarëve.

Llotaritë dhe lojrat me numra organizoheshin nga kompani që licensoheshin nga shteti.

Bingo televizive nuk paragjykohej e madje luhej në masë nga të mëdhenj e të vegjël. Mijra familje ngrinin çdo të dielë përpara ekranit të televizorit për të ndjekur lojën dhe provuar fatin.

Por pas viteve 2000’ koncepti i lojës do të ndryshonte.

Në treg do të hynin operatorët privatë të basteve dhe kazinove.

“Është një shoqëri modern, një shoqëri postmoderne dhe lojërat e fatit kanë filluar të jenë të rëndësishme tea jo që unë e quaj “shoqëria e qejfit”. Janë institucione ku njerëzit kanë dëshirë që të luajnë dhe argëtohen”. thotë sociologu Gëzim Tushi.

Papritur në çdo cep të Shqipërisë do të mbinin pika bastesh, kazino elektronike dhe gara në pistë të cilat do të ishin një nga mënyrat më të përdorura për të kaluar kohën, pas kafeneve.

Stili i jetesës sidomos për gjininë mashkullore dhe të rinjtë tashmë do të ndryshonte. Në mesjavë apo gjatë fundjavës së ndeshjeve, ata do të pushonin nëpër ambientet e basteve të përshtatura si bar-e për të parë ndeshjen dhe për të vënë skedina.

Pika të tilla do të hapeshin pafund. Në vitin 2018 numëroheshin 4100 mijë të tilla. 1 pikë për 700 banorë.

Janë më të dëshiruara sepse i përfshin të gjithë, janë argëtuese dhe luhet me shuma të vogla monetare”. thotë eksperti fiskal Eduart Gjokutaj.

700 pika të tjera ishin seli të Lotarisë Kombëtare, e cila edhe pse erdhi me një licencë eksluzive për këtë aktivitet nuk pati suksesin e basteve apo kazinove elektronike.

Lotaritë kanë pasur një histori mbi 20 vjeçare dhe kanë arritur pikun e tyre të aktivitetit”. sqaron Gjokutaj.

Vendet me makineta elektronike të kazinove gjendeshin rëndom në të gjithë territorin. 170 ishin të licensuara dhe qindra të tjerë ilegalë.

2300 makina slot në total, ose 13 makina për sallë, nga 10 që ishte numri i lejuar.

Në të zezë mendohej të kishte 3 herë më shumë.

Edhe pse ligji në atë kohë ndalonte hapjen e basteve e kazinove afër institucioneve arsimore, bankave dhe kishave, kjo nuk do të ishte problem për biznesmenët të cilët kishin si qëllim fitimin.

Kumari është lojë pasioni, ashtu si droga, alkooli dhe seksualiteti. Janë sëmundje pasioni që i ngjiten njeriut pas shpirtit dhe ai nuk shkëputet dot prej tyre.” thotë sociologu Tushi.

Ligji nuk lejonte që skedinat apo kazinotë të luheshin nga minorenët nën 18 vjeç, por plaga e varësisë ndaj kumarit nuk pyeste për moshë, ndërsa inspektorët ose mbyllnin sytë, ose nuk kishin kapacitetet për të monitoruar një treg kaq të madh e kaotik.

“Më shumë se 50% e këtij aktiviteti ishte informal që kontrollohej nga grupet kriminale”. thotë gazetari Artan Hoxha.

Në ato vite, taksa për të licencuarit ishte fikse. Bizneset jepnin 0.5% të parave që xhironin për Njësinë e Monitorimit të Lojërave të Fatit, por jo më pak se 8 mijë euro në vit për pikat e basteve dhe 13 mijë për kazinotë.

Tatimi bazohej te vetëdeklarimi dhe biletat që prisnin kompanitë e basteve apo kazinove. Nëse dikush deklaronte më pak, mbetej në varësi të kapjes nga ndonjë kontroll apo vlerësim të inspektorit.

Vetë tatimet në atë kohë konstatonin luhatje të mëdha të deklarimeve nga viti në vit.

“Analiza për tatimin mbi lojërat e fatit u përqendrua në një pamje më të gjerë të të gjithë kornizës ku zhvillohej ky aktivitet duke përfshirë aspektin ligjor, si dhe analizën e detajuar të treguesve të deklarimit. U evidentua faktori imediati i Riskut që ishte ndryshimi në mënyrën e deklarimit por edhe nënraportimi i tatimpaguesve.”

thuhet në një raport të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Mungonte një platformë online që të lidhte sistemin e kompanive të lojrave të fatit për të monitoruar sa luhej dhe sa ishte xhiroja e subjekteve.

I vetmi aktivitet deri diku i monitoruar ishte ai i “Regency Casino”, por edhe kjo kazino nuk kishte një sistem online raportimi dhe gjatë kontrolleve kishte raste kur konstatohej shmangie e deklarimit të parave që luheshin. Licenca Kazino Kombëtare me vlerë 10 milion dollarë u dha për 15 vjet përmes një konkursi që zhvilloi Ministria e Financave në vitin 2005 .

Në garë morën pjesë 4 kompani dhe fitues u shpall konsorciumi i një kompanie greke “Hyatt Regency Hotels and Tourism” që kishte 51% të aksioneve dhe pronarëve shqiptarë të kompleksit “Taiëan”.

Deri në vitin 2018, me ligjin e vjetër të lojrave të fatit, të ardhurat në buxhet nga ky aktivitet ishin mesatarisht 40 milion euro në vit, kjo i korrespodon një tregu prej rreth 130 milion euro të ardhura bruto për kompanitë dhe 450 deri në 500 milion para që luheshin në gjithë industrinë. . 

Zërat për informalitetin brenda këtij sektori shtoheshin.

A ishte vërtet në këto shifra paratë që hynin në industrinë e kumarit?

“Shifra që Shqipëria dhe shoqëria jonë humb në aventurën e basteve online në destinacione jashtë Shqipërisë brenda një viti varion mes 500 deri në 700 milion USD.” deklaroi në vjeshtën e vitit 2013 kryeministri Edi Rama.

Të sapoardhur në pushtet, socialistët nisën një aksion të quajtur “Fundi i Marrëzisë”.

Në vjeshtën e vitit 2013, mbi 6 mijë efektivë policie nisën kontrollin e kazinove elektronike dhe piakve të basteve.

Qindra të arrestuar, mijra makineta të sekuestruara dhe 542 vepra penale të evidentuara.

Me mbylljen e vitit aksioni u harrua.

“Rama vjen në pushtet dhe operacioni i parë që zhvillon është “Fundi i marrëzisë që synonte të merrte në kontroll lojrat e fatit dhe në këto kohë shfaqet Ervis Martinaj duke ekzekutuar një nga ortakët në industrinë e lojrave të fatit.” thotë gazetari Artan Hoxha.

Por Ministria e Financave vazhdoi punën për të hartuar një ligj të ri. Ligji ndezi debate edhe mes vetë socialistëve.

Gjatë një seance në Komisionin e Ligjeve, deputeti Fatmir Xhafaj u përplas me drejtoren e Njësisë së Lojrave të fatit Luneda Sufali .

“Të gjithë kanë konflikt interesi në lojrat e fatit.” tha në Komisionin e Ligjeve ish-drejtorja Luneda Sufali.

“Kush jeni ju që flisni?” pyet kreu i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj. 

Pastruesja”. përgjigjet Sufali.

Atëherë dilni jashtë”. ia kthen Xhafaj.

“Edhe në atë moment ka qënë një përplasje të grupeve të interesit brenda mazhorancës sepse edhe në atë kohë ka patur një betejë në lidhje me industrinë e lojrave të fatit.” thotë gazetari Hoxha

Lobimet, përplasjet dhe presionet vazhduan edhe gjatë kohës që po punohej  për ligjin e ri.

Minisitri i Financave Shkëlqim Cani kërkonte që të kishte një monitorim të mirë, kompanitë që licensoheshin në kazino të kishin një kapital 10 milion euro dhe 1.7 milion euro për bastet.

Më shumë ishte një nisëm politike pas aksionit dhe nevoja ishte për të disiplinuar tregun dhe t’a përshtatnin me përqajsjen e re, më shumë kontroll dhe monitorim.” thotë eksperti Gjokutaj.

Njëherë në 10 vjet firmat do të paguanin 8 milion euro për licencën kazino, 600 mijë euro për kazino në hotel me 5 yje dhe 1.7 milion euro për licencën e basteve. 0.2% e gjithë xhiros së tyre do të shkonte për sportin dhe 3% e të ardhurave të biznesit për Agjencinë e lojrave të fatit. Përveç kësaj vendoset edhe një taksë 15% për të ardhurat bruto për bastet dhe 12% e shkallëzuar sipas xhiros për kazinotë.

“Kemi rritur distancën nga pikat e basteve nga njëra – tjetra dhe kemi kufizuar numrin e nipte”. deklaroi gjatë miratimit të ligjit iministri i Financave në atë kohë Shkëlqim Cani.

Ligji i ri do të trazonte tregun e kumarit. Shumë pika bastesh, të hapura si kërpudhat e në shumë raste pa ndonjë fitim domethënes do të mbylleshin. U vendos që distanca mes tyre të ishte 100 metra larg në vijë ajrore. Numri i nipteve sekondare për të licensuarit po ashtu u limitua në 1 mijë. Ligji që ishte në fuqi nuk vendoste kufij për numrin e pikave.

Tashmë dhe mosha e lojtarëve që lejohej rritej nga 18 në 21 vjeç. Me kërkesë të familjarëve persona të caktuar nuk do të lejoheshin të hynin në ambientet ku luhen lojrat e fatit nëse ata kanë varësi.

“Lojrat e fatit krijojnë efekte sociale, varfëri, shtojnë divorcet, dhunën në familje, madje çojnë edhe në veprime ekstreme si vetëvrasjet.” thotë sociologu Gëzim Tushi.

Kjo frikë bëri që lobimi për shtyrjen e zbatimit të ligjit të luante fijet në prapaskenat e jetës politike.

Ligji i miratuar në vitin 2015 u shty njëherë në vitin 2016 dhe njëherë në vitin 2017, për t’ia lënë datën e zbatimit 1 janar 2019.

“Krimi i organizuar futet në këtë sektor për shkak të të ardhurave që siguron aktiviteti dhe sepse janë të ardhura që të sigurojnë mjaft “cash”. thotë gazetari Hoxha.

Kjo ishte koha kur lulëzimi i kazinove elektronike do të merrte fund, dhe tregu do të lejonte makinat slot vetëm në vende të caktuara si kazino kombëtare dhe hotele me 5 yje.

Tre kompani që operonin në tregun e basteve : Top Start, Lotto Sport dhe ITSGA tashmë do të riformatoheshin. Dy prej tyre, Lotto Sport dhe ITSGA kishin dhënë nipte dytësore me qira nga 750 dhe 940 pika secila.

Cila prej këtyre pikave do të mbijetonte, kur për një kompani nuk lejohej më shumë se 1000 mijë adresa dytësore. Në luftën dhe përplasjet e tregut kryeministri njofton vendimin drastik: lojrat e fatit do të mbyllen. Edhe kazinotë me përjashtim të Regency Casino që kishte licencë të veçantë.

“Në Shqipëri nga 1 janari nuk do të ngrihet asnjë qepen për baste dhe kazino elektronike në asnjë zonë të banuar të 28 mijë km2 të vendit.” deklaroi Rama.

Plaga sociale është përdorur shpesh si një kartë për të fituar pikë politikisht, por a ishte kjo arsyeja e vërtetë?

“Ka qënë një ngjarje që ka ndodhur në 4 tetor në ish-Bllok, me disa personazhe nga bota e krimit ku mbeti i plagosur një aktorët e industrisë së lojrave të fatit Ervis Martinaj, i cili në momentin që ka ndodhur kontrollonte gati 59% të tregut. Në këtë moment kur ai u plagos, u tentua të hapej një kompani tjetër “Bast Arena” dhe njerzit e Ervis Martinaj po bënin presion t’a lironin nga burgu Martinaj dhe i bënë presion të madh kësaj kompanie që ta pengonin.” thotë gazetari Hoxha.

Sa do ndalonte vendimi për t’i dhënë fund kumarit si fenomen dhe a kishte rrezik për të luajtuar në të zezë?

Koha vërtetoi se si gjithnjë, bixhozi ia doli dhe nuk u zhduk nga dora e shtetit.

 

 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top