Një artist suedez që skicoi kokën e profetit Muhamed në trupin e një qeni ka vdekur në një aksident, shkruajnë mediat e huaja.
Lars Vilks thuhet se po udhëtonte me një makinë civile të policisë kur u përplas me një kamion pranë qytetit Markaryd në Suedinë jugore.
Dy policë vdiqën gjithashtu dhe shoferi i kamionit u plagos.
Vilks, 75-vjeç, ishte nën mbrojtjen e policisë pas kërcënimeve të shumta me vdekje.
Karikatura, e botuar në vitin 2007, ofendoi shumë muslimanë që e konsideruan atë si blasfemi.
Policia nuk e ka zbuluar identitetin e të vrarëve në incidentin e së dielës.
Në një deklaratë nga policia thuhej se ishte ende e paqartë se si ndodhi përplasja, por fillimisht nuk kishte asgjë që tregonte që dikush tjetër ishte i përfshirë.
Karikatura shkaktoi zemërim dhe bëri që kryeministri i atëhershëm Fredrik Reinfeldt të takonte ambasadorë nga 22 vende myslimane në një përpjekje për të zbutur situatën.
Menjëherë më pas, Al-Kaeda në Irak ofroi një shpërblim prej 100,000 dollarë (73,692) për vrasjen e tij.
Në vitin 2015, Vilks mori pjesë në një debat mbi fjalën e lirë që ishte shënjestruar në një sulm me armë në Kopenhagen. Ai tha se ai ishte ndoshta objektivi i sulmit, ku mbeti i vdekur një regjisor filmi.
Edhe pse ai është më i famshëm për skicën e tij të Muhamedit si qen, Vilks ishte një artist dhe aktivist i cili shpesh punonte me bojë ose krijonte instalime.
0 Comments: