MC Networking

KQZ miraton dizajnin e fletëvotimeve për zgjedhjet e 17 tetorit në Kosovë

Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar të enjten dizajnin e dy fletëvotimeve për zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë.

Ky dizajn u vlerësua si më i lehtë dhe më i qasshëm për qytetarët.

Po ashtu, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) do të kërkojë nga Ministria e Shëndetësisë vaksinimin e të gjithë trupave zgjedhor për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Në mbledhjen e të enjtes, kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj tha se shumë shpejt do ta përgatisin planin për zgjedhjet në përputhje me masat antiCOVID.

Krahas kësaj, KQZ regjistroi edhe partinë politike “Forca e Diasporës”.

Ndërkohë, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kërkuan që raporti i auditimit të brendshëm për zgjedhjet e 14 shkurtit të dërgohet në Prokurori, pasi sipas tyre ka shkelje të rënda.

Ndërsa, anëtari i lëvizjes Vetëvendosje në Komision Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi ka kërkuar përsëri që procesverbali i mbledhjes së kaluar të KQZ dhe kamerat të dërgohen në prokurori në mënyrë që të dihet saktë sipas tij çfarë ka ndodhur në ditën kur u raportua në media se ka sulmuar një zyrtar për mosmbajtje të maskës.

Afati i fushatave zgjedhore do të fillojë me 16 shtator dhe do të zgjasë deri më 15 tetor, mirëpo shkaku i pandemisë COVID-19 ende nuk dihet se si do të zhvillohen këto fushata zgjedhore nga partitë politike.

Për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej tyre, 32 parti, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar është 4 mijë e 920, prej tyre 165 për kryetarë komunash dhe 4 mijë e 757 për kuvende komunale.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top