Gjykata e Tiranë ka caktuar “Detyrim paraqitje” për kreun e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Kryeqytetit, Mariglen Qato i akuzuar për shpërdorim detyre. Kryeinspektori Qato dhe dy vartësit e tij, Adrian Çaushaj dhe Leandro Lamani janë shoqëruar pasditen e së enjtes për t’u njohur me vendimin e gjykatës, nën dyshimet se kanë lejuar me dashje ndërtimin e një kati shtesë mbi një pallat.
Krahas masave “detyrim paraqitje” për shtetasit e mësipërm, gjykata caktoi “arrest në shtëpi” për arkitektin Klevis Bregu dhe “ndalim për dalje jashtë shtetit” për vëllanë e tij, Eugert Bregu, të dyshuar për “ndërtim pa leje”. Bëhet e ditur se Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin, pas një referimi të Policisë Gjyqësore, e cila kishte konstatuar punime mbi tarracën e një pallati 5-katësh në kompleksin “Ndërtim Vila”, në rrugën “Haxhi Kika”.
Pasi janë kryer verifikimet, është evidentuar se sipërmarrësit e ndërtimit, Klevis dhe Eugert Bregu, po kryenin punime ndërtimore, ndërkohë që ishin pajisur me “deklaratë paraprake”, e cila jepet vetëm për meremetime të thjeshta. Në 31 Korrik 2020, Policia njoftoi Inspektoratin Ndërtimor të Tiranës për konstatimin e punimeve ndërtimore pa leje në tarracën e pallatit në fjalë.
Tre ditë më pas, Policia evidenton sërish se punimet po vijonin, ndërkohë që nga kryeinspektori ndërtimor, Mariglen Qato dhe inspektorët e zonës, Çaushaj dhe Lamani nuk ishte marrë asnjë masë, pavarësisht njoftimit.
0 Comments: