
Thethi, simbol i turizmit malor në Shqipëri, është kthyer këto ditë në epiqendër të debatit publik, pas vendimit të Kryeministrit Edi Rama për shembjen e 80 objekteve pa leje në këtë fshat turistik.
Qindra banorë protestuan kundër këtij aksioni, duke e cilësuar të padrejtë dhe të nxituar.
I ftuar në emisionin “MCN Live”, analisti Engjëll Musai kritikoi ashpër mënyrën se si po ndërhyhet në zonat malore, duke theksuar se përpara se të niste zbatimi i projekteve për turizmin në këto zona, duhej një plan dhe studim urbanistik i detajuar.
Kanë kaluar më shumë se 30 vite dhe ende nuk dimë se ku mund të ndërtohet ligjërisht në Shqipëri.
Kjo është një marrëzi që vazhdon prej vitesh. Shqiptarët ikin jashtë, punojnë, sakrifikojnë dhe kur kthehen për të investuar në vendin e tyre, ndërtimet u prishen.
Askush nga ata që kanë për detyrë të rregullojnë këtë situatë nuk mban përgjegjësi.
Sipas Musait, problemi fillon nga mungesa e ligjit për pronën dhe mosformalizimi i saj, që ka sjellë konfuzion të madh në fushën e ndërtimit dhe të zhvillimit turistik.
Në radhe të parë duhet formalizuar ligji për pronën se prandaj ndodhin këto gjera që ne as sot nuk e dimë se e kanë pronën por e kanë pa letra, e kanë pronën por nuk lejohet te ndërtojnë.
Ndërkohë ne kemi 30 vite qe nuk kemi një studim fizibiliteti, një plan urban se çfarë do behet në zonat ekziston territori i Republikës se Shqipërisë.
Ne kemi një projekt për zonat malore, ne kemi një projekt për zhvillimin turistik të zonave malore por ne përpara se të krijonim këtë projektin dhe përpara se të nxirrnim projektin për zonat malore dhe turizmin malor, ne duhet te kishim një plan dhe një studim urbanistik se ku duhej ndërtuar, çfarë ndërtime do jene, çfarë do behet me ndriçimin, çfarë do bëhet me ujërat e zeza, që te mos kemi një katastrofë siç kemi edhe ne bregdet ku sot kemi një det te pasur por e bëjmë pis me ndërtimet informale, pa leje, pa vendosje pa infrastrukturë.
Musai tha se investimi në ligjin për pronën duhet të jetë përparësi kombëtare, jo vetëm për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, por edhe për integrimin në Bashkimin Evropian.
Edhe BE dhe institucionet ndërkombëtare e kanë cilësuar çështjen e pronës si një kusht themelor dhe të pazëvendësueshëm.
Duhet urgjentisht të hartohet një ligj i qartë për pronën, sepse mbi bazën e tij ndërtohet çdo zhvillim tjetër: urban, ekonomik, turistik apo bujqësor.
Pa një qasje strategjike dhe pa plane të mirëfillta zhvillimi, investimet e qytetarëve do të vazhdojnë të jenë të pasigurta dhe të cenueshme nga vendime të papritura.



