
Komisioni Evropian paralajmëron Shqipërinë se çështja e Zvërnecit, e cila ka ndezur protesta prej një jave, mund të ndikojë në rrugën e saj të anëtarësimit në BE.
Komisioni paralajmëron se projekti mund ta vendosë Shqipërinë në një kurs përplasjeje me rregullat mjedisore të BE-së, duke rrezikuar aftësinë e saj për të mbyllur Kapitullin 27 të gjelbër në bisedimet e saj të anëtarësimit.
"Shqipëria duhet të përmbahet nga veprimet që mund të dëmtojnë përmbushjen e standardeve të mbylljes dhe [ne] presim që autoritetet shqiptare të veprojnë pa vonesë", citohet nga Politico.eu një zëdhënës i Komisionit Evropian, i pyetur në lidhje me projektin e zhvillimit të lidhur me Jared Kushner.
“Në procesin e pranimit në BE, si pjesë e standardeve përmbyllëse për negocimin e Kapitullit 27 mbi mjedisin dhe ndryshimet klimatike, Shqipëria pritet të përputhet plotësisht me legjislacionin e BE-së në këtë fushë, duke përfshirë Direktivat për Shpendët dhe Habitatet”, tha zëdhënësi, duke kërkuar që Shqipëria të shfuqizojë ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe të “t’i japë fund” ligjit për investimet strategjike. Si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, Shqipëria pritet të përputhet me rregullat mjedisore të BE-së.
Zëdhënësi i tha gjithashtu POLITICO-s se ministri i mjedisit i Shqipërisë, Sofjan Jaupaj, e kishte informuar Komisionin në Bruksel se ndërtimi i projektit është pezulluar dhe një vlerësim i ndikimit në mjedis do të kryhet së bashku me shoqërinë civile.
“Ne tashmë i kemi shprehur shqetësimet tona ministrit të Mjedisit në lidhje me mangësitë e mundshme të këtij projekti”, tha zëdhënësi.
I pagëzuar si “Revolucioni i Flamingove” (shpendët që popullojnë zonën e mbrojtur ku është parashikuar investimi), protestat janë shoqëruar me thirrje në rritje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. SPAK ka nisur një hetim mbi ndryshimet kontroverse në statusin e mbrojtur të zonës dhe pronësinë e tokës në vitin 2024.
“Vërejmë se projekti është gjithashtu subjekt i hetimeve të vazhdueshme të SPAK që thuhet se shtrihen përtej shqetësimeve mjedisore”, tha zëdhënësi.
Rama i tha së fundmi POLITICO-s se nuk ka shumë interes nga udhëheqësit e BE-së për trazirat politike në Shqipëri për momentin. Në një intervistë pak para Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Mal të Zi më 5 qershor, Rama gjithashtu pohoi se “nëse nuk do të ishte Jared, ata nuk do të donin t’ia dinin fare” për projektin.
Ndërkohë, shqiptarë në Nju Jork, Londër, Bruksel, Milano dhe Berlin, si dhe qytete të tjera në Shqipëri, janë bashkuar me thirrjet që projekti të anulohet dhe që natyra e Shqipërisë të mos bjerë viktimë e turizmit të pakontrolluar.
Shqipëria është një nga kandidatët kryesorë për t'u anëtarësuar në BE së bashku me Malin e Zi, dhe Rama ka vendosur një objektiv për t'u anëtarësuar në bllok deri në vitin 2030, me negociatat teknike që do të mbyllen në fund të vitit 2027.
Ky shqyrtim vjen për shkak të ndryshimeve të vitit 2024 të Shqipërisë në ligjin e Zonave të Mbrojtura, të cilat kritikët thonë se hapën derën për zhvillim në shkallë të gjerë në zonat e ndjeshme të jetës së egër. Kjo përfshin zonën e mbrojtur Vjosa-Nartë, ku ndodhet projekti i lidhur me Kushner dhe i mungon një vlerësim i ndikimit në mjedis.
Brukselit gjithashtu i ka bërë presion prej kohësh Tiranës që të heqë ligjin e saj të Investimeve Strategjike të vitit 2015, pasi ai u jep projekteve të favorizuara trajtim të përshpejtuar që rrezikon të anashkalojë mbrojtjet mjedisore të BE-së.



