96 organizata të shoqërisë civile janë bashkuar në një kërkesë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për ndryshime në politikat që lidhen me zonat e mbrojtura dhe mbrojtjen e mjedisit.
Të ftuar në emisionin “MCN Economy”, ekspertët e mjedisit Aleko Miho dhe Mihallaq Qirjo vlerësuan se kërkesa e organizatave është e drejtë dhe e argumentuar, ndërsa theksuan se problematika e ndërtimeve në zonat e mbrojtura nuk kufizohet vetëm në Zvërnec.
Sipas profesor Aleko Mihos, ndërhyrjet dhe projektet ndërtimore po shtrihen edhe në zona të tjera me rëndësi të veçantë mjedisore, si Dajti, Driloni dhe Ksamili.
Nuk është vetëm rasti i Zvërnecit. Ndërtime po shohim edhe në Dajt, në Drilon dhe në zonën e Ksamilit. Kuvendi nuk duhet të jetë indiferent ndaj kësaj situate.
Duhet të ketë reagim institucional dhe zgjidhje konkrete për mbrojtjen e këtyre pasurive natyrore.
Duhet kritikuar ndryshimet e bëra ndër vite në legjislacionin për zonat e mbrojtura, se ligji është ndryshuar në mënyrë të tillë që ka hapur rrugë për investime dhe ndërtime në territore që më parë gëzonin mbrojtje më të fortë.
Ligji është ndryshuar disa herë dhe sot përdoret për të justifikuar projekte që shpallen me interes kombëtar.
Nuk është vetëm Zvërneci. Në zemër të Dajtit po ngrihen struktura të reja, ndërsa raste të ngjashme po evidentohen edhe në Drilon dhe në zonën e Ksamilit. Këto zhvillime duhet të shqetësojnë institucionet.
Sipas Mihos, rasti i Zvërnecit është thjesht kulmi i një sërë problematikash të akumuluara ndër vite dhe duhet të shërbejë si alarm për institucionet shtetërore.
Nga ana tjetër, eksperti Mihallaq Qirjo vlerësoi nismën e organizatave të shoqërisë civile si një përpjekje legjitime për të tërhequr vëmendjen e institucioneve shqiptare dhe ndërkombëtare ndaj gjendjes së zonave të mbrojtura.
Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin të marrë nisma ligjore në favor të zonave të mbrojtura.
Kjo është një çështje e interesit publik dhe kërkon angazhimin e të gjitha forcave politike. Deri më sot nuk kemi parë iniciativa të mjaftueshme në këtë drejtim.
Dokumenti i hartuar nga organizatat mjedisore mbështetet në argumente të forta profesionale dhe teknike, duke e bërë kërkesën e tyre të drejtë dhe të motivuar.
Qëllimi nuk është konflikti, por gjetja e një zgjidhjeje për një situatë që po bëhet gjithnjë e më shqetësuese.
Kuvendi duhet të ndërhyjë në mbrojtje të interesit publik dhe të trashëgimisë natyrore të vendit.



