MC Networking

Jorezidentët 325 milionë euro prona, Brahaj: Shumica e blerjeve janë struktura akomoduese

Eksperti i pasurive të paluajtshme, Arbër Brahaj, shifrën prej 325 milionë euro ku jorezidentët kanë investuar në prona gjatë vitit 2023, e aprovon si fakt, por thotë se në tre mujorin e fundit sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, shifra ka ardhur në rënie.

Duke folur në emisionin MCN Economy, Brahaj shtoi se kryesisht bëhet fjalë për shtetas shqiptarë me pasaporta të huaja, shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, Kosovës, por se ka dhe blerës të huaj.

Blerësit e huaj janë zakonisht në zonat turistike, në zonat e bregdetit, elitare, riviera. Më shumë se gjysma e këtyre blerësve është nga shtetas shqiptarë por me pasaporta të huaja.

Janë europianë, nga shtetet e Europës qendrore. Ka pasur interes shumë të lartë nga Ukraina, por tani ka rënë ndjeshëm.

Pjesë të madhe të interesit e përbëjnë polakët dhe çekët, të cilët kanë interes dhe kanë kryer dhe transaksione, në Sarandë ka blerje nga shtetet nordike dhe skandinave.

Banka e Shqipërisë është e vetmja që jep këto statistika, INSTAT i publikon si pjesë e PBB, por jo me zëra të veçantë.

ADISA mund t’i ndajë por nuk e ka për detyrim. Që jemi faktor ky është fakt se kemi një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve, ata që vizitojnë Shqipërinë janë rikthyes në Ballkan.

Kur vijnë nuk shikojnë nëse është lirë apo shtrenjtë, por me sy krahasues, pak më lirë se në Malin e Zi, por më shtrenjtë se në Greqi.

Në Malin e Zi, në Budva dhe Petrovac ka çmime shumë më të larta se në Shqipëri, për të njëjtat prona, një kompleks në Mal të Zi, ka çmimin më të lartë 11 mijë euro për metër katrorë.

Po të marrësh një më një pasuritë, edhe zona e Ulqinit, që është më e lira në Malin e Zi është aty aty me Vlorën.

Sa i takon tremujorit të fundit të vitit solli edhe vlerën më të lartë të investimeve të huaja në këtë sektor, me 71 milionë euro, Brahaj deklaron se një shifër e tillë tregon se ka pasur persona që e kanë pasur në vëmendjen e tyre dhe kanë bërë investimin jashtë sezonit, ku zonat e bregdetit kanë pikun e tyre jashtë sezonit.

Sipas tij, kjo është shpresëdhënëse për pjesën që do të vijë gjatë verës.

Janë rritur dhe numri i metrave katrorë i lejeve, në zonat e bregdetit. Janë dhënë dhe po jepen goxha dhe në bregdet.

Në çdo cep të Shqipërisë ka interes të vazhdueshëm. E shoh në rritje se ka një frymë të brendshme, se do s’do do udhëhiqet nga investitorët brenda Shqipërisë.

Shtetas shqiptarë duke qenë ajo shtresë e popullsisë që kanë të ardhura të larta, vazhdojnë të blejnë.

Po të shtosh dhe pjesën e turistëve kjo është shpresëdhënëse për personat që blejnë në këto zona.

Shikoj që do jetë një trend rritës në vazhdim, flasim për zonat turistike, jo për Tiranën.

Nuk mund të jetë e njëjta bazë ndërtuesi me atë që po ndërton në Tiranë, me atë që po ndërton në Dhërmi.

Shumica e këtyre pronave nuk janë për investim personal, por për struktura akomoduese.

E përdor një muaj vetë dhe muajt e tjerë përdoret për struktura akomoduese. Nuk regjistrohen fare, nuk paguajnë as TVSH-në.

Në Tiranë mendohet se janë 12 mijë prona, për shkak se Bashkia Tiranë, strukturat akomoduese afatshkurtër nuk i trajton si të tilla, por si banesa.

Në çdo shtet ka zona që janë të paprekshme për 95% të popullsisë, siç mund të bëhet dhe jugu tek ne.

Vlora dhe Saranda kërkohen më shumë, pjesa tjetër janë komplekse të cilat ofrojnë shërbime brenda kompleksit.

Pjesa e Veriut është më popullore dhe kërkesa kryesore është me pamje nga deti.

Vlora po vazhdon të rritet me çmime më të larta, Lezha me çmime më të ngadalta. Mendoj se ka të bëjë me infrastrukturën.

Në vijim Brahaj tha se shtetas shqiptarë po blejnë prona jashtë Shqipërisë, por zakonisht jo në vendet kryesore, ndërsa për pjesën e turizmit nënvizoi se duhet studiuar nëse nxjerrim më shumë para jashtë apo fusim.

Tirana është gjithmonë luani për prona të paluajtshme, më shumë se 70% e tregut të pasurive të paluajtshme janë në Tiranë.

Shumica nuk i duan për të jetuar, por për të investuar, për qira afatshkurtra apo afatgjata, të cilët duke parë kursin e këmbimit nuk duan ti kenë paratë në bankë.

Janë rreth 9 mijë prona të paluajtshme gjatë 2020-2023 që janë përdorur për qira afatshkurtra. Nuk pastrohen para në apartamente apo njësi të vogla.

Për të parë pastrimin e parave, duhet parë aty ku blihen toka, apo ku ndërtuesit nuk shesin.

Ka shumë aktorë jashtëzakonisht korrekt në sektorin e ndërtimit që etiketohen pa të drejtë, që nuk pranojnë as edhe 1 lek jashtë banke.

Sigurisht ka dhe të tjerë, pasi ndërtimi është sektor me risk të lartë. I vetmi regjistër që nuk është online në Shqipëri, është regjistri i lejeve të ndërtimit.

Totalisht nuk e blen dot një apartament me kesh në Tiranë, jo në tërësi.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top