MC Networking

Itali/ Gjykata e Lartë vendos: Provat e përftuara nga zbërthimi i EncroChat dhe Sky ECC janë të ligjshme dhe mund të përdoren në proceset gjyqësore

Gjykata e Lartë në Itali ka vendosur që provat e marra nga zbërthimi i aplikacioneve Encro Chat dhe Sky ECC nëpërmjet të cilave janë zbuluar aktivitetet kriminale të personazheve të botës së krimit në të gjithë botën janë të ligjshme dhe mund të përdoren në proceset gjyqësore.

Në një artikull të vetin, media italiane Republika.it citon Gjykatën e Lartë:

Të gjitha informacionet që prokuroritë në Itali kanë mbledhur pasi kanë zbërthyer aplikacionet “Sky Ecc” dhe "EncroChat" janë të ligjshme dhe mund të përdoren.

Media italiane e ka cilësuar një moment historik për prokurorët e Antimafias pasi në ata serverë ka biseda të koduara të 170 mijë kriminelëve të cilët mendohet se kanë folur hapur për aktivitetin e tyre kriminal.

Janë 5 mijë përdorues të Encrochat dhe 5 mijë të aplikacionit Sky Ecc.

Në bazë të këtij vendimi çdo foto e gjetur në këto aplikacione, çdo video, urdhër, e plan për të vrarë do të merret si provë e vlefshme.

Republika.it shkruan se falë zbërthimit të këtyre aplikacioneve në Romë u demaskua mafia shqiptare, u zbuluan kontaktet me ushtrinë marokene, marrëveshjet me bosët e drogës ekuadorian, zyrtarët e korruptuar të portit Gioia Tauro, droga, vrasjet e porositura dhe tentativat për të vrarë dy magjistratë romakë.

Po ashtu bëhet me dije se nga dekriptimi i këtyre aplikacione janë zbërthyer edhe bisedat e Elvis Demçes (një nga trafikantët më të njohur shqiptar në Itali), ato të Giuseppe Molisso-s si dhe diskutimet e vrasjes së Andrea Gioacchini-t.

Nuk ka shumë detaje se si francezët deshifruan pajisjet kompjuterike. Franca e ka shpallur sekret shtetëror. 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top