MC Networking

Blinken sot në Tiranë, takon Ramën, Begaj dhe kreun e SPAK/ Rrugët që bllokohen

Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken vjen sot në Tiranë në një vizitë zyrtare, e cila do të zgjasë 8 orë.

Mbërritja pritet të jetë në orën 11.00 të ditës së sotme në aeroportin e Rinasit, ku do të pritet nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani.

Mësohet se gjatë vizitës së tij sekretari Blinken do të takohet me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Bajram Begaj dhe kreun e SPAK, Altin Dumani.

Pas takimit me kreun e qeverisë, Blinken dhe Rama do të mbajnë një konferencë për mediat.

Raportohet se gjatë vizitës së tij pritet të nënshkruhet një marrëveshje e rëndësishme, detajet e së cilës nuk bëhen të ditura.

Ndër të tjera Blinken do të vizitojë edhe ambientet e Piramidës e cila është shndërruar në një qendër teknologjike për të rinjtë, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për mbarëvajtjen e vizitës së zyrtarit të lartë amerikan, policia ka hartuar një plan masash sigurie, i cili parashikon bllokimin e disa segmenteve rrugore.

Policia e Shtetit, plan masash për garantimin e sigurisë gjatë vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, z. Antony Blinken, në Tiranë, më datë 15.02.2024. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ka hartuar një plan të detajuar masash, për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë kësaj vizite.

Masat e ndërmarra i janë prezantuar nga grupi i punës, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili e ka miratuar këtë plan masash.

Ndalim parkimi:

Duke filluar nga ora 19:30 e datës 14.02.2024 deri në orën 20.00 të datës 15.02.2024, në rrugët “Faik Konica”, “Dervish Hima”, “Ismail Qemali” (para Kryesisë së Kuvendit), “Gjergj Filipi”, “Lek Dukagjini”, Rruga e Elbasanit, “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Bajram Curri”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, si dhe rruga “Ukraina e Lirë” (Gjykata Kushtetuese), do të ndalohet parkimi i mjeteve në rrugë dhe në hapësirat e caktuara për parkim.

▪️Ndalim qarkullimi:

Në fashat orare 09:30-12.30 dhe 17:30-20.00, të datës 15.02.2024, do të ndalohet qarkullimi në rrugët si më poshtë:

1. Interurbane dytësore Fushë Prezë-Rinas;

2. Interurbane dytësore Rinas-Qafë Kashar dhe anasjelltas;

3. Interurbane kryesore Qafë Kashar – ish-sheshi Shqiponja dhe anasjelltas;

4. Interurbane kryesore ish-sheshi Shqiponja-Teg-Sanatorium dhe anasjelltas;

5. Rruga e Elbasanit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Faik Konica”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ismail Qemali”, rruga “Themistokli Germenji”, rruga “Abdyl Frashëri”, rruga “Ukraina e Lirë”, rruga “Gjergj Filipi”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe bulevardi “Bajram Curri”.

Rrugë alternative

Qytetarët që duan të shkojnë në aeroportin “Nënë Tereza”, më datë 15.02.2024, nga Durrësi dhe veriu, do të ndjekin përkatësisht drejtimin Vorë-Fushë Prezë-Rinas dhe kthim, Fushë Krujë-Fushë Prezë-Rinas dhe kthim, ndërsa nga juglindja dhe Tirana, do të ndjekin unazën lindore-Farmacia 10-Stacioni i Trenit-Bulevardi i Ri-Paskuqan-Kamëz -Valias-Aeroporti i Rinasit, dhe kthimi në të njëjtin itenerar.

Për emergjencat mjekësore që mund të afektohen në oraret e bllokimet, të ndiqen rrugët dytësore dhe të tjera, në drejtim të spitaleve përkatëse, të ndryshme nga ato që do të përshkohen nga delegacioni amerikan. Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve për masat e sigurisë dhe apelon për të shmangur qarkullimin me mjete rrugore në oraret dhe rrugët ku parashikohen kufizimet e lëvizjes, për qëllime sigurie.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top