MC Networking

‘Zgjohu me MCN’/ Delinda Disha: Aktrimin e kam pasion, teatrin dashuri. Në 2024 do doja të realizoja një rol në një film

Aktorja e humorit Delinda Disha e ftuar në “Zgjohu me MCN” ka treguar për suksesin e saj në fushën e moderimit për të cilin u shpreh se ka ardhur në një moment kur vuri re se botës së spektaklit i kishte ardhur koha për një ndryshim.

Ajo tha se një tjetër arsye që kaloi te bota e televizionit ishte për ti dhënë pak më shumë kohë teatrit dhe filmit.

Ishte një vendim të cilin e mora duke parë se bota e spektaklit ai formatin kabareti po hante dhjamin e vetë sepse kishte nevojë për ndryshim dhe duke qenë se ai ndryshim nuk erdhi vendosa të provoja diçka tjetër. Kjo ishte një nga arsyet dhe sipas meje ka rezultuar diçka e mirë. Unë kam besim të madh te vetja por nëse ti ke të dhëna për të moderuar një format mund ta bësh, ose tenton dhe tërhiqesh nëse nuk e bën dot, sepse njeriu ka nevojë të eksperimentojë. Unë e provova dhe ja ku jam ndjehem mirë. Jam munduar shumë dhe personalisht ti ndihmoj pasi përfshihem shumë sepse rastet që kanë qenë vërtet në nevojë jam munduar ti ndihmoj. Në përgjithësi jam e kujdesshme, nuk dëmtoj as veten dhe as punën që bëj. Një tjetër arsye ishte që ti jepja pak kohë më shumë dhe teatrit dhe filmit.

Më tej ajo shprehet se profesionin e aktrimit e ka pasur pasion teksa jep dhe një këshillë që nëse një student vendos të ngjisë ato tre shkallët e fakultetit duhet të ketë fillimisht pasionin.

Jam marrë që e vogël atëherë me shtëpinë e pionierit shkoja dhe bëja çdo kurs të mundshëm që kishte aty. I kam provuar të gjitha se mendoja që nëse në të ardhmen do bëhem artiste doja të isha e kompletuar. Mi përmendin rolet dhe ndjehem mirë. Aktorëve të kabaretit shpesh herë u harrohet emri sepse u stamposet emri i personazhit, por mua nuk më ka ndodhur fatmirësisht. Unë çdo gjë e bëj me shumë dashuri dhe përkushtim. Është profesion shumë i bukur. të vjen keq por kur diçka e mbyll ciklin e vetë e mbyll. Teatrin e dua shumë se dhe kur isha në akademi që bënim shfaqjet, më thoshin pedagogë që Deli ti je e lindur për këtë punë. Më vinte mirë, por prapë nuk isha e bindur nëse isha vërtetë e mirë për teatrin apo jo. Prova dhe jeta si dhe vitet kanë treguar se gjithçka ka shkuar mirë por unë kam akoma shumë rrugë përpara.

Delinda Disha ka folur dhe për humbjen e dy binjakëve gjatë shtatzënisë periudhë të cilën e ka cilësuar si më të errtën në jetën e saj.

Humbja e dy binjakëve gjatë shtatzënisë ishte periudha ime më e errët. Unë e kam përjetuar dyfish, sepse ishte publiku që e vuante bashkë me mua. Nëse në teatër të ndodh të shkrihesh me personazhin dhe unë e kisha gjithë kohës çdo mbrëmje që jepja shfaqje. Kur e kalon një gjë të tillë frika është gjithmonë e madhe por e kam shijuar shtatzëninë me Kostandinin në pafundësi sepse janë gjëja më e shtrenjtë për mua. Eldo ka qenë mbështetja ime më e madhe, ndajmë çdo gjë bashkë, kemi një komunikim shumë të mirë. Eldo është syri im i jashtëm, menaxheri im, kritiku im dhe babi i dy djemve të mi, është gjithçka. Ai nuk është skeptik ndaj zgjedhjeve dhe mendimeve të mia. Jam e lumtur që jam një nënë çunash. Jeta me çunat e mi është dashuri më heqin çdo lodhje, mërzitje, por ja kam dalë dhe me ndihmën e mamit, në të dyja shtatzënitë sepse po mos të ishte mami do kisha hequr dorë nga shumë gjëra.

E pyetur se çfarë qëllimesh ke aktualisht për veten, Disha tha se do të donte të realizonte një rol në një film.

Unë me Shqipërinë kam mbaruar punë, kërkoj përtej oqeanit. Do doja shumë që këtë vit 2024 të realizoja një rol të suksesshëm në film, kam mall për filmin, kinematografinë. Kritika nuk kam për filmat që kanë dalë sepse njerëzit duhet të eksperimentojnë, dhe në momentin që se gjejnë veten tërhiquni. Dua shumë sepse arti momentalisht lë shumë për të dëshiruar, por aktorët dhe regjisorët që punojnë me teatër është për të ardhur keq. Buxhetet që dalin për projekte artistike janë minimaliste. Bota është bërë komerciale, por jam përpjekur të ruaj stilin tim, profilin tim dhe çdo gjë ta bëj me krijimin tim sepse në momentin që ti krijon në një punë ti e ke vendosur një gurë në themelet e kalasë tënde që do të jetojë për mijëra vjet.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top