MC Networking

28 Nëntori, Dita e Flamurit/ Shqipëria 111 vjet shtet!

Shqipëria feston sot 111-vite nga krijimi i shtetit.

 Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.

28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për mbarë shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore dhe luftërave të pareshtura që bënë shqiptarët për çlirimin e vendit.

Organizimet në këtë ditë sot janë nga më të ndryshmet.

Kësisoj, për herë të parë në Tiranë do të organizohet Parada e shqiptarëve. Me pjesëmarrjen e mijërave shqiptarëve nga të gjitha trojet, parada do të mbledhë mbi 150 Ansamble popullore.

Parada të fillojë në orën 11:00. Parakalimi fillon nga sheshi "Nënë Tereza", si pika e grumbullimit, për të vijuar në drejtim të sheshit “Skënderbej”. Pasi të bashkohen të gjithë në sheshin “Skendërbej”, aty do të jetë ngritja ceremoniale e flamurit.

Parashikohet që parada të zgjasë disa orë, nga ora 11 deri në orën 14:00 dhe do të parakalojnë disa grupe, më pas vjen ceremonia e ngritjes së flamurit.

Ndërkohë që presidenti, kryeministri, kryetarja e Kuvendit do të bëjnë ngritjen ceremoniale të flamurit në orën 10:00 në Vlorë.

Kjo datë në të cilin në vitin 1912 është shpallur pavarësia e shtetit shqiptar në katër vilajetet shqiptare, përbën edhe histori të tjera për shqiptarët. Kjo datë shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane dhe në anën tjetër u hapën rrugët për zhvillim dhe emancipim shoqëror.

Përveç Ditës së Flamurit, Me 28 Nëntor është ditëlindja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, dhe data kur UÇK doli për herë të parë publikisht, në vitin 1997 në fshatin Llaushë të Skenderajt.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top