Për shkencën është tezë shumë e diskutueshme, megjithatë regjisori Pupo Avati shfaqet i bindur se homoseksual nuk lind por mund të bëhesh. Ai e bazon këtë konkluzion në rastin e këngëtarit Lucio Dalla, me të cilin kishte miqësi solide që në rini. Regjisori rikthehet në vitet e adoleshencës dhe njohjen me Dallën, gjatë një interviste për «La Stampa». Ai konfirmon se Lucio ishte një lloj fëmije gjeni "kishte diçka misterioze dhe të shenjtë në të, ishte një inteligjencë e veçantë, ai ishte një lloj njeriu që i dinte të gjitha". Dhe i pyetur se si u rrit kantautori, Avati tregon një episod të patreguar më parë: «Parabola e Lucio-s ishte si një udhëtim i jashtëzakonshëm. Pas epokës së artë të teatrove të famullisë, ai pësoi një ndëshkim të qartë fizik, i cili e futi nënën e tij në panik». Çfarë kishte ndodhur? «Lucio nuk po rritej - shpjegon Avati - nëna e tij e detyroi të merrte një trajtim të bazuar në hormone që e komprometuan në një farë mënyre. Jo vetëm nuk u rrit, por u bë i ashpër, me qime... Nuk e di nëse ky ndryshim ka pasur pasoja në sferën seksuale».
“Ishte i fiksuar pas femrave, pastaj ndryshoi”
Kur i kërkohet të shpjegojë më mirë, Pupo Avati shton: “Gjatë kohës që luanim bashkë, Lucios i pëlqenin shumë vajzat, ishte i fiksuar pas femrave, i dashuruar marrëzisht pas motrës së drejtuesit të teatrit Cremonini. Më pas, në një moment të jetës së tij, diçka ndryshoi. Është një histori që u përpoqa ta përcjell në filmin tim “Dhuratë për Krishtlindje”, ku tregova ndryshimin e seksualitetit të një prej miqve të mi”. Ndoshta Dalla u turpërua, fakti është se «i mbylli të gjitha marrëdhëniet me njerëzit që njihte më parë, mendoj edhe pjesërisht për këtë arsye. Është një problem që ne të gjithë miqtë e kemi përjetuar – këmbëngul regjisori – me Lucion gjatë gjithë jetës sime kam folur për çdo gjë, përveç këtij aspekti. Kurrë". Por Avati kujton gjithashtu se vite më vonë, kur ishte kantautor i suksesshëm, Lucio Dalla gjeti një mënyrë për ta prezantuar me partnerin e tij Marco Alemanno. “Më ftoi. Lucio ishte ulur në piano, në ekstazë, ndërsa ky djalë recitonte një tekst pasionant... Në sytë e Lucios kishte një dashuri, një emocion, prej andej kuptova sa shumë ishte i dashuruar me Markon. Mendova për Engjëllin Blu”.
Nuk mund të përjashtohet që fjalët e Pupo Avatit të shkaktojnë reagim te bota LGBT. Ndërkohë, në Bolonjë, të gjithë ata që e donin Lucio Dalla-n po mobilizohen për 4 marsin, ditëlindja e 80-të e këngëtarit. Dalla do kujtohet edhe gjatë Maratonës së Bolonjës. Këngëtari i mirënjohur i muzikës italiane u nda nga jeta më 1 mars 2012.
/ Corriere.it /
0 Comments: