“Lojrat e fatit bashkë me tregun e pasurive të patundshme shihen si dy sektorët me rrezikun më të lartë për pastrimin e parave.” do të konstatonte në verën e vitit 2018 Këshilli i Europës në një raport për Shqipërinë. Raporti i parapriu vendimit të qeverisë për të mbyllur tërësisht tregun e bixhozit në vend, i cili shihej si një rrezik lufte mes aktorëve të saj se cili do të mbijetonte nga ligji i ri.
Në prag të mbylljes kryeministri do të vinte gishtin mbi precedentët penal të pronarëve të pikave të basteve, a thua se sapo i kishte zbuluar.
“Shumë nga pronarët e basteve janë me precedentë penale. Edhe pas operacionit ‘Fund i marrëzisë’ marrëzia nuk është mbyllur. 5 mijë pika të paligjshme operojnë në vend dhe qindra miliona lëvizin jashtë kanaleve të ligjit. Ajo që ne bëjmë sot është kundërpërgjigja e duhur ne emër të një shoqërie të prekur nga ky fenomen.” do të deklaronte kryeministri Rama.
Madje do të akuzonte edhe për shantazh ndaj deputetëve që të mos votonin pro mbylljes.
“Respekt për të gjithë ata që kaluan një periudhë stresi të vecantë me shumë “sms” të llojeve të ndryshme dhe atyre që i kanë cuar ato “sms” që i kanë porositur nga jashtë apo brenda burgut.” tha kryeministri gjatë seancës së miratimit të mbylljes së basteve në kuvend.
“Në momentin kur bota e krimit jo vetëm ishte e vështirë t’ia hiqje nga duart lojrat e fatit, por ishte e vështirë dhe të krijoje një konkurrencë ndaj tyre, atëherë ai i ra shkurt dhe i mbylli lojrat e fatit.” thotë gazetari Artan Hoxha.
Vendimi i Kuvendit të Shqipërisë mbylli tërësisht sektorin e lojrave të fatit dhe lejoi operimin dhe për 1 vit e gjysëm të “Regency Casino” Zotimi ishte që të mos kishte më licenca në këtë fushë dhe kaziontë të hapeshin në zona turistike nga operatorë me emër.
Sot situata nuk është ajo që u tha.
Zona përreth stadiumit “Air Albania” është kthyer në një nga vendet më tërheqëse të kryeqytetit që prej përfundimit të tij nga kompania Alb-Star. Edhe pse stadiumi u inagurua që në nëntor të vitit 2019, punimet për përfundimin e qendrës tregtare rreth tij dhe një kulle e cila do të ofrojë shërbime hoteliere vazhdojnë.
Hoteli u hap për të pritur një samit të organizuar nga Bashkimi Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor, për t’u mbyllur disa ditë më pas e për të vazhduar punimet.
Në verën e vitit 2022, pranë stadiumit Air Albania hapi dyert kazino Arena. Edhe pse ligji lejon licensimin e kazinove në hotele me 5 yje, nuk dihet saktë se në çfarë kushtesh është dhënë licenca kazino, kur ambienti i sallave të lojës është nga ana tjetër e stadiumit dhe larg hotelit, dhe hoteli nuk ka përfunduar ende dhe sot, më shumë se gjysëm viti nga hapa e kazinosë.
“Arena” nuk është kazinoja e vetme në zonën përreth stadiumit. Përballë saj u hap gjatë fundit të vitit 2021 “Royal Eagle Casino”, edhe kjo kazino ndodhet në të njëjtat kushte. Hoteli “Hyatt” po ndërtohet, por kazinoja është hapur.
Në 2020 Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit licensoi “Grand Casino Tirana” në afërsi të qendrës së kryeqytetit pranë hotel Plazza dhe rinovoi licencën kombëtare për “Regency Casino” e cila ushtronte aktivitetin prej 15 vjetësh pranë kompleksit “Taivan” në zonën e Shallvareve.
Një tjetër licencë është miratuar gjatë vitit 2021 jashtë kryeqytetit është për “Marina Bay Casino” me vendodhje në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë.
Dy kazino të tjera janë licensuar së fundi, Imperial Casino e vendosur pranë hotel “Loti Botique” dhe një tjetër e vendosur pranë “Radisson Morina Hotel” në kryeqytet.
Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë vitit 2021 kaziontë deklaruan një xhiro vjetore 52 milion euro, ndërsa paratë që u luajtën në këtë treg nga lojtarët janë afërsisht 210 milion euro.
Në vitin 2020 tregu i kazinove ishte 23.7 milion euro, ndërsa operuan vetëm dy prej tyre “Regency Casino” dhe “Grand casino Tirana” e vendosur pranë hotel plaza.
Të dhënat e bilanceve zyrtare të dorëzuara pranë tatimeve tregojnë se gjatë vitit 2021 tregu është dyfishuar. Dominimin më të madh në biznesin e lojrave të fatit e ka “Adria Entertainment” e vendosur pranë Hotel Plaza me 29 milion euro të ardhura dhe një fitim neto në vlerën e 3.3 milion eurove në vitin 2021.
Të ardhurat për “Regency Casino” janë 19 milion euro dhe fitimi i rezalizuar është 3.5 milion euro. Të dhënat e tregut tregojnë se dy kaziontë e tjera të hapuara përgjatë vitit 2021 kishin një xhiro vjetrore më të ulët. 3.4 milion euro në Royal Eagle dhe 500 mijë euro pranë Marina Bay në Vlorë.
Ridhënia në tetor të vitit 2020 e licencës për kazino tregtare nxorri në pah se pavarësisht një ligji të ri, aktorët e vjetër të tregut sërish kanë hyrë për t’u rilicensuar.
Tregu sot dominohet nga pronarët e kompanisë Apex-al të cilët blenë dhe firmën e vjetër VLT, aksionerët e Taivan dhe familja Gjoka që kishte në pronësi Imperial Casino.
Dy emrat e rinj të tregut janë Luftar Hysa dhe Besnik Lulo me Marina Bay në Vlorë.
0 Comments: