Në kuadër të “Muajit të Teatrit”, ministrja e Kulturës, Elva Margariti përkujtoi sot aktorin Agim Qirjaqi,
Sot, në ditën e ndarjes së tij nga jeta, kujtojmë aktorin e shkëlqyer, Agim Qirjaqi, shkruan Margariti.
Agim Qirjaqi lindi në Kolonjë në vitin 1950. Karrierën si aktor e filloi në Teatrin Kombëtar, pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Rrugë të bardha” i Viktor Gjikës (Profesori), “Lulëkuqet mbi mure” i Dhimitër Anagnostit (Drejtori i Shkollës) etj. Me këtë të fundit fiton çmimin e parë në Festivalin II të Filmit, më 1977.
U rikthye në Teatrin Kombëtar më 1991 këtë herë më i dhënë pas regjisë. Lista filloi me “Rikardi III” të Shekspirit (1992) dhe vazhdon me “Fando e Lis” të Arrabalit, me të cilën fiton Çmimin “Aleksandër Moisiu” në Festivalin e vitit 1994, “Marrëzia e madhështisë” të Vangjel Kozma, “Këngëtarja tullace” të Ioneskos dhe mbaron me “Armiku i popullit” të Ibsenit.
Krahas krijimtarisë, angazhohet edhe në veprimtaritë ‘jashtë skene’, si përkthyes dramash (“Fando e Lis” dhe “Këngëtarja tullace”), bashkëpunëtor dhe anëtar i Këshillit Botues të buletinit Teatër, anëtar i bordeve të Studios Alba Film dhe Akademisë së Arteve, bashkëthemelues dhe kryetar i parë i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve të Teatrit (1992). Më 1996 fitoi titullin “Asistent Profesor”. Në sezonin 2002-2003 ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar.
Qirjaqi u nda nga jeta në 28 mars 2010 në moshën 59-vjeçare pas një sëmundje të rëndë.
0 Comments: