MC Networking

Ekskluzive/ Si u vodh Kaskada e Drinit në kulmin e krizës

Në 3 tetor kryeministri Edi Rama paralajmëroi shqiptarët se mbi supet e tyre të drobitura do të binte një tjetër barrë e rëndë, ajo e krizës energjetike. Përmes një fjalimi të gjatë Rama tha se kjo ishte një krizë globale, që nuk kishte lidhje me qeverinë apo faktorë të brendshëm.

Por, një ditë pas kësaj deklarate në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare zhvillohej një operacion mirëfilltazi korruptiv, i kamufluar si shkëmbim energjie. MCN publikon ekskluzivisht oraret sekrete të shkëmbimit, që tregojnë se si u vodh energjia elektrike dhe KESH përmes një kontrate shkëmbimi. Bëhet fjalë për një kontratë mes KESH dhe kompanisë private NOA Energy, e cila de facto përbën një nga skemat më të mëdha të korrupsionit në sistemin energjetik të vendi.  

Në 4 tetor, pra të nesërmen e deklaratës së kryeministrit, nga ora 17 deri në orën 23 të mbrëmjes KESH i ka dhënë kompanisë NOA, saktësisht 1807 megavat energji. Siç tregohet nga tabela në foto, energjia është dorëzuar e gjitha në periudhën pik, ku çmimi në bursën hungareze për ato orë në atë datë ka variuar nga 206 deri në 271 euro për megavat. Në të njëjtën ditë, NOA i ka kthyer KESH-it mbrapsht 817 mega vat energji, por kthimi i energjisë është bërë nga ora 1 e natës deri në 6 të mëngjesit. Në orët që NOA i ka kthyer energjinë KESH-it, cmimi në bursë në atë datë ka variuar nga 50 deri në 150 euro për mega.

E njëjta skemë identike është aplikuar çdo ditë nga qershori deri në tetor. KESH i ka dhënë energji NOA-s në periudhën pik, kur cmimet janë në stratosferë. NOA këtë energji e shet me çmim të lartë dhe më pas e blen gjatë natës me çmim të lirë për t’ja kthyer KESH-it.

Për periudhën nga 1 tetori deri në 13 tetor KESH i ka dhënë NOA-s në total 10 mijë e 417 mega vat energji, të cilat në orët e dorëzuar sipas çmimeve në bursë kanë patur një vlerë totale prej 2 milionë 620 mijë eurosh. Për të njëjtën periudhë NOA i ka kthyer KESH-it mbapsht 12 mijë e 200 mega vat energji, të cilat në profilet kur janë dorëzuar kanë patur një vlerë totale prej 1 milionë 557 mijë euro. Pra në vetëm 10 ditë shkëmbime, Kaskadës së Drinit i janë vjedhur gati 1 milionë e 100 mijë euro.

Shkëmbimi i energjisë mes KESH dhe NOA ka vazhduar nga qershori deri në gjysmën e tetorit. Madje dy javë pasi kryeministri përbetohej se qeveria do ta menaxhonte krizën në mënyrën më të mire dhe një javë pasi qeveria kishte shpallur gjendjen e emergjencës energjetike KESH dhe NOA shkëmbenin energji. Me të njëjtën skemë identike. KESH i ka dhënë NOA-s energji në periudhën pik, dhe e ka marrë atë mbrapsht në orët e natës dhe në fundjave, ku cmimet janë minimale. Me pak fjalë, kjo kontratë ka vënë në funksion të një kompanie private asetin më të rëndësishëm strategjik të vendit, kaskadën e Drinit.

Kontrata e shkëmbimit të energjisë është iniciuar nga ish drejtori i KESH, Benet Beci që sot mban postin e deputetit për Partinë Socialiste, që në mars të këtij viti. Por firmën finale në të e ka hedhur Besian Kadiu, i cili u komandua në krye të KESH për një periudhë të shkurtër, pasi Benet Beci kandidoi për deputet. Por kjo kontratë, implikon disa zyrtarë dhe institucione njëherësh, përfshirë Autoritetin e Konkurrencës.

Të gjithë këta mundësuan një nga skemat më të mëdha të vjedhjes që është bërë ndonjëherë në sektorin energjetik të vendit. Një gjakderdhje e mirëfilltë financiare, e cila i ka marrë qytetarëve shqiptarë në kulmin e krizës energjetike minimalisht 5 milionë euro. Megjithatë dëmi real që ajo ka bërë është shumë më i madh se kaq. Tashmë Spak gjendet përballë provave flagrante, mjafton të sekuestrojë në OST profilet e shkëmbimit të energjisë, nga qershori deri në 17 tetor.

KREDO
  • Comments

1 Comments:

  1. Default User Picture
    Ing (not verified)Oct 25, 2021 15:00 PM

    Nese ka shitur ne orar piku shtrenjtë dhe ka blerë ne orar nate lire operacioni rezulton me fitim.

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top
Ekskluzive/ Si u vodh Kaskada e Drinit në kulmin e krizës | MCN TV

Error

The website encountered an unexpected error. Please try again later.