Lajm i keq për kombëtaren shqiptarë të futbollit. Ka ndërruar jetë në moshën 55-vjeçare si pasojë e Covid-19, fizioterapisti i njohur Ylli Mihali.
Prej afro një muaji ai ishte infektuar, pavarësisht se ishte vaksinuar, dhe po luftonte me Covid në spital.
Madje së fundmi gjendja ishte përkeqësuar dhe Ylli Mihali ishte futur në intubim, që për fat të keq sot edhe ka ndërruar jetë.
Mihali është një nga emrat më të njohur të fushës së fizioterapisë, sidomos asaj sportive në vendin tonë.
Kreu i FSHF-së, Armand Duka në një shënim në mediat sociale shpreh ngushëllimet për largimin nga jeta të Mihalit, të cilin e lerëson si një njeri të jashtëzakonshëm, që ishte pranë futbollistëve në çdo situatë të vështirë.
‘Të dashur miq, Pak minuta më parë u njoha me lajmin e kobshëm se Ylli Mihali, njeriu i mirë, fjalëpak, u nda nga jeta pas një betejë të gjatë e stërmunduese me Covid-19. Ky është një moment i vështirë për të gjithë futbollin shqiptar, që e njofti dhe e dashuroi aq shumë Yllin, që emrin e reflektonte në ҫdo hap dhe moment të jetës së tij. Një fizioterapist dhe një njeri i jashtëzakonshëm që shërbeu për 27 vite pranë ekipit tonë Kombëtar, pranë klubit të tij Tiranës, pranë sportistëve në vështirësi, duke qenë pranë tyre në çdo situatë. Humori, dashuria për njerëzit, dhembshuria e Yllit do të na mungojnë. Në këtë moment të vështirë për familjen e tij, miqtë e tij të shumtë, lutemi që shpirti i tij të prehet në paqe. Lamtumirë Yll, do të të kujtojmë gjithmonë me dashuri!’- shkruan Duka.
Futbollistët e Kombëtares, teksa ai po luftonte me jetën në spital, në fillim të ndeshjes së javës së kaluar me San Marinon i dedikuan atij një mesazh në bluzat me mbishkrimin: “Forca Ylli, mos u dorëzo”.
0 Comments: