Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte sot në Berat, ku vizitoi dhe një familje pensionistësh atje.
Ata iu ankuan Bashës se pensioni që marrin nuk iu del, e kryedemokrati i premtoi se me ardhjen e tij në qeveri, pensioni do të rritet, madje 2 herë më shumë se sa rritja e çmimeve.
Gjithashtu Basha tregoi se edhe prindërit e tij nuk bëjnë dot pa ndihmën e fëmijëve, pasi me pensionin që marrin paguajnë vetëm drita-ujë dhe ilaçe.
Duke theksuar gjendjen jo të mirë që po kalojnë familjet dhe pensionistët shqiptar, Basha tha se rritja e pensioneve do të fillojë me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, ku minimale do jetë sa norma e inflacionit dhe jo më pak se 5%. Një zotim tjetër është edhe rimbursimin i ilaçeve përtej diagnozës, për t’u ardhur sadopak familjeve shqiptare si dhe kompensimi për të gjithë ish-pronarët të cilëve nuk u është rikthyer prona.
“Unë i kam të dy prindërit pensionistë dhe e di fare mirë që me pensionet e tyre, pasi paguajnë energjinë edhe ilaçet s’ju mbetet pothuajse asgjë po s’pate mbështetjen e fëmijëve. Dhe ky është realiteti kudo me pensionistët. Rritja e pensionit do të fillojë me ne, vit pas viti do të rritet minimalisht dy herë sa norma e inflacionit dhe jo më pak se 5% në vit. Sepse në këtë mënyrë të paktën ju do të keni më shumë para nga rritja e pensionit sesa rriten çmimet. Se çfarë kuptim ka në qoftë se çmimi i bukës, i mollës, i portokallit rritet më shumë sesa pensioni do të thotë që ju zhyteni gjithmonë edhe më thellë në varfëri. Ilaçet e pensionistëve do të rimbursohen për të gjithë shqiptarët përtej diagnozës dhe me këto të paktën nuk po them se do bëhet ndonjë mrekulli, po të paktën do t’ju rikthehet dinjiteti dhe vendi që meritoni në familje dhe në shoqëri për sakrificat që keni bërë.
Unë e kam kërkuar ndjesën në emër të Partisë Demokratike, në takimet që kemi patur me të gjithë pronarët, me të gjithë përfaqësuesit e pronarëve. Po hapi i parë, aty ku pronar janë, ekzistojnë do të ketë kthim fizik pronarit dhe në rastet e para që do ndërmarrim. Sikundër ai ligji i shpronësimit të dytë që kaluan këta në parlament, do të anulohet. Ne kemi një plan, me anë të cilit do të bëjmë të mundur që të fillojë aty ku është e mundur kompensimi fizik, të njihen të gjitha vendimet dhe të zbatohen ashtu siç kanë qenë dhe të ecin përpara me sa është e mundur pastaj sepse e di që problemi i akumuluar ka krijuar një faturë të tmerrshme, që llogaritet me miliarda euro. Por sa më shumë të vonohemi, aq më shumë komplikohet sepse familjet rriten, shumëfishohen, shtohen kurorat, pra ka problem pas problem”, përfundoi Basha.
0 Comments: