Filmi i ri i Ermal Mamaqit, “I love Tropoja”, pati premierën mbrëmjen e 29 janarit në Pallatin e Kongreseve. Publiciteti i jashtëzakonshëm që i është bërë në çdo kanal të mundshëm komunikimi që në fund të vitit të kaluar ka ngjallur interes te publiku. Kjo pritet të reflektohet në shitjen e biletave.
Ndryshe nga filmat e tjerë, “I love Tropoja” nuk i pret admiruesit e komedianit Mamaqi në kinema. Pas premierës së mbrëmshme, filmi do të vijojë të shfaqet në Pallatin e Kongreseve gjashtë herë në ditë deri më 12 shkurt.
Pallati i Kogreseve është një objekt që menaxhohet nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe kjo e fundit është nën varësinë direkte të qeverisë. Për marrjen me qira të mjediseve të këtij objekti, Mamaqi ka lidhur një kontratë me Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, e cila ka vlerën 8 014 500 lekë, përfshirë TVSH. Në një përgjigje për TvT, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare sqaron se kontrata, të cilën Mamaqi e ka firmosur në cilësinë e subjektit, parashikon edhe një aneks-kontratë me vlerë 63 6 750 lekë.
Pagesa para zhvillimit të aktivitetit është një nga kushtet e përcaktuara në kontratën e qirasë.
Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare sqaron më tej se në bazë të ligjit, kontrata të kësaj natyre bazohen mbi sipërfaqen e shfrytëzuar dhe kohëzgjatjen e përdorimit. Gjithashtu, kontrata i lë hapësirë qiramarrësit të bëjë ndërhyrje në mjediset e marra me qira, me kushtin që t’i kthejë ato siç ishin më parë në përfundim të afatit të shfrytëzimit.
Kjo lë të hapur mundësinë që, në rast të një interesi akoma më të madh se ai që ka parashikuar produksioni, oraret dhe vendet të shtohen, për aq sa janë hapësirat fizike dhe kohore.
“I love Tropoja”, një film që i vendos ngjarjet në veri të Shqipërisë, ka një kast aktorësh të njohur në zhanrin e humorit. Pjesë e kastit, në një prej roleve, është edhe vetë kryeministri Edi Rama.
0 Comments: