MC Networking

Shtëpitë e shqiptarëve në komunizëm (VIDEO)

Shqipëria e para viteve ’90 karakterizohej nga uniformiteti, një karakteristikë që gjeti shtrirje në shumë aspekte të jetës së përditshme. Qytetarët që kanë jetuar nën sistemin komunist visheshin pak a shumë njësoj, kishin të njëjtin stil jetese, mendonin njësoj dhe jetonin në shtëpi që nuk ndryshonin shumë nga njëra tjetra.

Duke qenë së ishte regjimi komunist të gjithë ishin të barabartë , ndryshe nga sot ku të gjithë shprehin stilin e vet lirshëm në arredimin e shtëpive.

Tradita e arredimit të shtëpisë, që sot njihet me neologjizmin interior dizajn, karakterizohej nga ngjyrat e tokës, kafe në bezhë, dhe mobilje të thjeshta, karakteristike për shumicën e vendeve ish-komuniste të Ballkanit.

Dhoma tipike e periudhës së diktaturës komuniste ishte e pajisur me mobilje qe gjendeshin pothuajse ne cdo familje shqiptare si divane, kolltuqe të mbuluara me damask, bufe dhe tavolinë prej druri dhe shumë elementë të tjerë.

Dhoma e miqve, ose siç e quanin shumë shqiptarë, dhoma e pritjes, merrte gjithmonë vëmendjen e të zotëve të shtëpisë. Etnologia Aferdita Onuzi shpjegon se kujdes tepër te veçante gjatë periudhës së komunzimit i kushtohej odës së burrave, që kishte pothuajse të njëjtën pamje në çdo shtëpi.

Uniformiteti nuk qëndronte thjesht brenda mureve të shtëpisë. Apartamentet dhe shtëpitë private kishin gjithashtu të njëjtin stil arkitekturor.

Gjatë viteve të regjimit komunist, për shumë familje shqiptare, televizori konsiderohej luks. Po ashtu edhe frigoriferi apo lavatricja, për të cilat duhej të merrje një autorizim të posaçëm që të jepte të drejtën për t’i blerë. Një element që nuk mungonte në asnjë familje ishin bibliotekat. Edhe pse të thjeshta, ato ishin në çdo shtëpi, ku zinin vend kryesisht veprat e Enverit, libra për fëmijë dhe përkthime kryesisht të letërsisë ruse.

Pas pajisjes me televizor, shumë familje në mënyrë të fshehtë ndiqnin kanalet e huaja, që u kthyen në një dritare, nëpërmjet të cilës shqiptarët njiheshin me botën e jashtme. Kjo u reflektua edhe në tendencën e mobilimit të shtëpive. Ata filluan të shprehnin individualizmin, por kjo ishte e rrezikshme sepse mund të interpretohej nga regjimi se nuk e pëlqeje atë mënyrë jetese dhe në disa raste vendoseshe në përgjim nga Sigurimi i Shtetit.

Përmbysja e sistemit në vitet '90 solli edhe ndryshimin e mënyrës së jetesës. Të rinjtë ishin të parët që nisën të braktisnin traditën e deriatëhershme. Vitet e fundit, kemi një rikthim të tradicionales dhe kjo vjen për shkak se turistët e huaj kanë shprehur gjithnjë e më shumë interes për kulturën shqiptare.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top