MC Networking

Shëndeti: Shenjat e reaksionit të rëndë alergjik (FOTO)

Njihuni me shenjat e reaksionit të rëndë alergjik për të mbrojtur në çdo rast veten dhe të tjerët:

Hundë të zëna

Nëse hunda juaj rrjedh ose është e bllokuar nga sekrecionet disa minuta pasi dilni jashtë mund të jetë rinit alergjik.

Megjithatë, një hundë që rrjedh vetëm një orë pasi keni marrë një ilaç të ri mund të jetë një paralajmërim serioz.

Ju mund të jeni alergjik ndaj ilaçit.

Teshtima

Teshtima mund të duket diçka e zakonshme, por mund të jetë një shenjë e hershme e një alergjie të rëndë, qoftë edhe ndaj një ushqimi që po ha. 

Sy që djegin dhe lotojnë

Shumë gjëra në atmosferë mund t’ua shkaktojnë këtë efekt, por në disa raste mund të jetë një alergji serioze ndaj një ilaçi.

Mbaje parasysh këtë kur merr një ilaç të ri.

Reaksioni mund të ndodhë menjëherë ose dhe disa ditë më vonë.

Kruajtje në veshë ose gojë

Kruajtje të menjëhershme në vende të çuditshme pasi ke ngrënë një ushqim të ri mund të jenë shenja të alergjisë ndaj atij ushqimi.

Ndryshimi i frymëmarrjes

Ndryshime të menjëhershme e të çuditshme mund të jenë shenja alergjie ndaj ushqimit a ilaçit.

Mund të gulçoni e t’ju merret fryma papritur. Nëse nuk merrni dot frymë, krejt papandehur, kjo mund të jetë shenjë e anafilaksis (anaphylaxis), një reaksion i rëndë.

Urtikarie

Urtikariet e shfaqura në lëkurë krejt papritur shkaktohen nga reaksioni alergjik ndaj barnave, kimikateve, ushqimeve etj.

Nëse shfaqja e tyre shoqërohet me marrje fryme, buzë të ënjtura janë tregues të një reaksioni të rëndë.

Puçrra në lëkurë

Shpërthimi I puçrrave në lëkurë, me kruajtje, temperaturë janë një tregues i alergjisë ndaj një kafshe, kimikati, ushqimi, ilaçi apo produkti bukurie.

Në formë të lehtë, ato mund të largohen menjëherë pas trajtimit ose mënjanimit të shkakut, por kjo simptomë mund të jetë një shenjë e hershme e një alergjie më të rëndë, anafilaksit (anaphylaxis), e cila mund të jetë e rrezikshme për jetën tuaj.

Të përziera, të vjella, diarre

Nëse stomaku juaj reagon për nëj kohë të shkurtër pasi keni ngrënë ndonjë lloj ushqimi, mund të jetë tregues i një alergjie.

Simptoma, si: të përziera, të vjella dhe diarre janë tregues që mund të përkeqësohen, mund të jenë edhe shenja të anafilaksit, prandaj mos i neglizhoni.

Shtrëngime në gjoks

Papritmas kraharori ju shtrëngon dhe ju dhemb teksa merrni frymë.

Fyti po ashpërsohet e po ju mbyllet.

Këto janë shenja të alergjisë ndaj ushqimeve, nëse ju ndodh kërkoni menjëherë ndihmë.

Gjuhë ose buzë të ënjtura

Nëse goja, gjuha, a buzët ju ënjten papritur pa ndonjë arsye, mund të jetë angioedema, shenjë e një reaksioni.

Nëse kjo ju ndodh shpesh, këshillohuni me mjekun.

Lëkurë e skuqur

Alergjitë ndaj ushqimit mund t’ju shkaktojnë skuqje rreth gojës dhe syve.

Nëse kjo ju ndodh sapo keni rënë në kontakt me atë që ju shkakton alergjinë, atëherë gjendja është e rëndë.

Kërkoni menjëherë ndihmë, mos pritni të kalojë.

Shpërqendrim dhe ankth

Duket e çuditshme, por shpërqendrimi dhe ankthi lidhen edhe me alergjitë ndaj ushqimit.

Mjekët mendojnë se kjo ka të bëjë me rënien e tensionit të gjakut.

Kërkoni ndihmë menjëherë nëse ndodh një gjë e tillë, si për veten, ashtu dhe për të tjerët.

Tension i ulët gjaku

Rënia e menjëhershme e tensionit të gjakut ju bën të ndiheni të dobët, pa fuqi dhe sikur do t’ju bjerë të fikët.

Kjo është një gjendje që mund të vërë në rrezik vetë jetën tuaj. Kërkoni ndihmë.

Anafilaksi

Ky reaksion alergjik i menjëhershëm mund të shkaktojë deri edhe vdekjen nëse nuk trajtohet në urgjencë.

Simptomat, si: probleme me frymëmarrjen, lëkurë e zbehtë ose e mavijosur, ankth, kruajtje, të vjella etj., mund të fillojnë menjëherë, disa minuta pasi keni rënë në kontakt me shkakun.

Shkaqet më të zakonshme të anafilaksisë

Ushqime, barna, kafshime të insekteve, lateksi etj.

Pas trajtimit në urgjencë, kontaktoni menjëherë një alergjist për të gjetur shkakun dhe për ta parandaluar në të ardhmen. /Sipas WebMd, përgatiti Erina Çoku/

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top