MC Networking

Letra dashurie në fushat e betejës/ Kur Hyrrem i shkruante Sulejmanit të Madhërishëm

Letrat që shkëmbente Sulejmani i Madhërishëm me gruan e tij, të zbuluara së fundmi, hedhin dritë mbi historinë më të famshme të dashurisë në kohën kur ata jetuan.

Letrat, të nxjerra nga arkivat presidenciale, tregojnë marrëdhënien e sulltaneshës Hyrrem dhe Sulltanit të Madhërishëm, që ndodhej në fushën e betejës.

Arkivistët i cilësojnë letrat një nga shembujt më të mirë të poezisë dhe prozës turke.

Sulejmani konsiderohet nga shumë historianë si sulltani më i suksesshëm i periudhës osmane. Sundimi i tij nga viti 1520 deri më 1566 pati fushata të guximshme ushtarake që sollën ndikime pozitive në fushën e drejtësisë, letërsisë, artit dhe arkitekturës. Megjithatë, për romantikët, ai njihet për historinë e tij të jashtëzakonshme të dashurisë me gruan e tij, Hyrrem, dikur një skllave.

“Jam e humbur në këtë univers të krijuar nga Zoti. Vitet më të bukura i kam jetuar nën kujdesin tënd, si një perlë në një kuti xhevahiresh. Të lutem prano këta rreshta nga skllavja jote e pafuqishme dhe e mjerë, që vuan mungesën tënde. Gjej paqe vetëm aty ku je ti. Fjalët dhe boja nuk mjaftojnë për të treguar lumturinë dhe gëzimin tim kur të kam pranë. Kujtimet e ditëve që kemi kaluar bashkë, momentet që kemi përjetuar, e mbushin plot zemrën e shërbëtores tënde. E ngjushëlloj veten me to në mungesën tënde. Nuk jam vetvetja kur ti je larg. Askush nuk mund të m’i lehtësojë dhimbjet”, i shkruante Hyrrem të shoqit në vitin 1526.  

Në një prej letrave, ajo i dërgon një shami të lagur me lot.

“Jeta ime, sulltani im i shtrenjtë. Lutja ime e vetme për Allahun është ta shoh sërish fytyrën tënde rrezatuese. Nuk do të ketë më ndarje tani e tutje. I lutem Zotit që sulltani im, burri im i shtrenjtë, të jetë i lumtur në këtë botë e përtej saj”, thuhet më tej në letër.

“Ti gjithmonë i fiton betejat me armiqtë. E di shumë mirë që dashuria e sulltanit për skllaven e tij ishte një lojë  fatit. Ajo i fshiu lotët, e bëri të lumtur… Zgjodha islamin prej tij. Kjo është arsyeja pse unë ndihem e lumtur aty ku je ti”, shkruan më tej sulltanesha Hyrrem.

"Nuk dua asgjë tjetër, veç lumturisë për ty, në këtë botë dhe në tjetrën. Skllavja jote e varfër dhe e përulur, Hyrrem", mbyllet letra.

Hyrrem u bë pjesë e haremit të sulltanit si skllave, kur ishte vetëm 15 vjeçe. Ajo tërhoqi vëmendjen e Syleymanit dhe u bë menjëherë e preferuara e tij. Dashuria e detyroi sulltanin të thyente protokollin mbretëror duke u martuar ligjërisht me të.

Për sulltanët otomanë ishte normë braktisja e konkubinave pasi ato u sillnin në jetë një djalë, në mënyrë që të mos i shpërqendronin ato nga rritja e sulltanëve të ardhshëm.

Megjithatë, Hyrrem i dha sulltanit gjashtë fëmijë: Mehmed, Mihrimah Sulltan, Abdullah, Sulltan Selim II, Bayezid dhe Cihangir.

Ajo u bë një nga figurat femërore më me influencë në historinë e Perandorisë Osmane.

Djali i saj, Selim, pasoi të atin në fron. 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top