Roma u shndërrua për pesë ditë gjatë këtij tetori në një treg të madh të botës së filmit evropian. Profesionistë të fushës së filmit, të mbledhur së bashku kanë diskutuar për mënyrat se si mund të tregojnë histori, si të prodhojnë dhe bëjnë filma përmes financimeve të përbashkëta. Një platformë që vjen për të katërtin vit në kryeqytetin italian, MIA (Mercato Internazionale Audiovisivo) Tregu ndërkombëtar i botës audiovizive është një hapësirë me vlerë për lojtarët e përfshirë në botën e filmit dhe televizionit dhe një mundësi e shkëlqyer për projektet e lindura në Itali. Pjesë e këtij tregu është edhe kinemaja shqiptare dhe aktorë të saj të përfshirë në prodhime me Italinë. Por ndërsa interesi i kineastëve shqiptarë për bashkëproduksione me Italinë, për projekte të xhiruara në Shqipëri apo në Itali ka qenë gjithmonë i pranishëm, kohët e fundit vërehet një interes i madh edhe nga ana e profesionistëve të kinematografisë për Shqipërinë. Këtë gjë pohon edhe drejtori i “Apulia Film Forum”, të Apulia Film Commission, Alberto La Monica.
“Ne kemi bashkëpunim të fortë me MiaMarket. Si përfaqësues i “Apulia Film Comission” jam këtu të përzgjedh projektet në “Apulia Film Forum” dhe çdo vit ata kanë përzgjedhur një nga projektet tona. Ai i përzgjedhur këtë vit titullohet “Sea Sisters” i regjisores nga Pulia, Brunella Fili. Edhe ne gjithashtu kemi përzgjedhur një nga projektet e tyre, që prezantohet tani në MiA Market. Është një shkëmbim, një partneritet në të cilin ata përzgjedhin një nga projektet tona dhe ne bëjmë të njëjtën gjë. Dhe sigurisht kjo do të thotë shumë për producentin, sepse kanë shans të dyfishtë të gjejnë partnerë, të gjejnë përgjigje, për të mos mbyllur buxhetin dhe të xhirojnë së shpejti, të paktën një pjesë të filmit në Pulia”, tha Alberto la Monica, Drejtor i “Apulia Film Forum” dhe “Festival del Cinema Europea”.
APULIA FILM COMISSION ka lindur në vitin 2007 dhe ka për qëllim të tërheqë kompani prodhuese audiovizuele, duke ofruar subvencione për të ulur kostot e përgatitjes, prodhimit dhe postproduktimit të projekteve që xhirohen në Puglia, Itali. Që nga viti 2014, Shqipëria, e përfaqësuar nga Ministria e Kulturës dhe Qendra Kombëtare Shqiptare e Kinematografisë ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Apulia Film Commission. Projekti i parë ku Shqipëria përfitoi nga fondet e APULIA FILM COMISSION ishte projekti Memoria, që rezultoi me një grant për kooproduksion për 3 producentë shqiptarë. Nga rreth 50 projekte në konkurrim gjashtë prej tyre kanë fituar, nga të cilat 3 janë projekte të prezantuara nga shtëpitë filmike shqiptare. Pjesëmarrja me të drejta të plota të shtëpive filmike shqiptare në këtë konkurs është rezultat i marrëveshjes së bashkëpunimit që u lidh në Otranto mes Qendrës Kombëtare Kinematografike dhe Apulia Film Comission. Bëhet fjalë pikërisht për shtëpitë filmike: “Kube Studios” nga Adrian Paci dhe Roland Sejko, “Lissus Media”e Andamion Muratajt dhe “On Film Production” e Fabrizion Bellomo dhe Nico Angiuli, të cilët janë tri shtëpitë filmike fituese të projektit “Memoria” në Bari.
Alberto La Monica është edhe drejtor i Festivalit Europian të Filmit në Leçe (Festival del Cinema Europeo a Leçe), një ngjarje që, çdo vit, vë në qendër të vëmendjes, median dhe të pasionuarit e botës së filmit, jo vetëm për qytetin e Leçes, por të gjithë rajonit të Pulias, La Monica, përmes këtyre bashkëpunimeve synon edhe të përzgjedhë projekte apo prodhime kinematografike përtej Italisë. Një prej këtyre vendeve është edhe Shqipëria.
“Jam krenar sepse në festivalin tim të filmit në Leçe ishte një nga të parat përmbledhje e filmave shqiptarë në Itali. Çdo vit në festival janë në konkurrim filma ose ngjarje të veçanta. Pata kënaqësi të madhe të mirëpres disa regjisorë shqiptarë në disa nga edicionet e mëparshëm të festivalit. Prania e tyre është diçka që duhet, për të treguar vëmendje ndaj kinemasë shqiptare, kështu që jam shumë i lumtur dhe krenar për këtë bashkëpunim. Dua të përmend disa emra, por janë shumë dhe nuk dua të harroj asnjë prej tyre. Por pata kënaqësi të madhe t’i takoj, t’i mirëpres dhe të prezantoj filmat e tyre dhe t’i ndihmoj të kenë kontakte dhe marrëdhënie të reja përsa i përket bashkëprodhimeve”, deklaroi Alberto la Monica, Drejtor i “Apulia Film Forum” dhe “Festival del Cinema Europea”.
Gjatë edicionit të Festivalit të Filmit Evropian këtë vit në Leçe u shfaq premierë për Italianë edhe filmi “Broken” i regjisorit shqiptar Edmond Budina. Shfaqja e filmit u parapri me një debat për kinemanë dhe kulturën shqiptare përmes diskutimeve nga Anila Bitri-Ambasadore e Shqipërisë në Itali, Loredana Capone- Vlerësuese për Turizmin dhe Kulturën dhe rajonin e Pulias, Maurizio Sciarra- President i Apulia Film Commission, Iris Elezi- Drejtore e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit në Shqipëri, regjisori Edmond Budina dhe producentëve Adelë Budina dhe Paolo Spina. Alberto La Monica përmend edhe një film shqiptar të realizuar si bashkëprodhim me Italinë.
“Përsa i përket tregut të bashkëprodhimeve më pëlqen të përmend se një nga bashkëprodhimet e parë italo-shqiptarë që është realizuar është filmi “Bota” nga Iris Elezi prodhuar nga Sabina Kodra. Ne e mirëpritëm projektin e tyre në një nga edicionet e parë të marketit dhe ai gjeti producent italian, Andrea Stukovitz (Stukoviç). Më në fund filmi u xhirua dhe u prezantua në festivale të rëndësishëm të filmit, si Karlovy Vary dhe të tjerë festivale të rëndësishëm. Mendoj se kineastët shqiptarë duhet të vazhdojnë punën e tyre. Janë disa regjisorë shqiptarë, që janë mirëpritur në festivale të rëndësishëm të filmit, si në Berlin, apo në Sarajevë dhe festivale të tjerë ndërkombëtarë. Tashmë ata kanë personalitetin, stilin e tyre”, deklaroi Alberto la Monica, Drejtor i “Apulia Film Forum” dhe “Festival del Cinema Europea”.
Ndërkohë, që nga viti 2015 me iniciativën e QKK dhe mbështetjen e Ministrisë Italiane të Kulturës (MIBACT) është organizua nga ANICA – Shoqata Kombëtare e Industrisë Kinematografike Audiovizive dhe Multimediale në Itali gjatë edicionit të 73-të të Festivalit të Venecias takimi me titull “Fokus Ballkani”, ku u prezantuan qendrat e kinematografisë ballkanike. Ky takim kishte si qëllim prezantimin e bashkëprodhimeve të realizuara me Italinë dhe gjetjen e mundësive për bashkëprodhimet e ardhshme.
Shqipëria u evidentua për numrin e lartë të bashkëprodhimeve me Italinë, duke mbajtur një vend të privilegjuar në raport me Ballkanin. Pikërisht për këtë arsye, QKK një vit më vonë organizoi në Tiranë gjatë punimeve të BALKAN FILM MARKET një takim me titull “FOCUS ITALIA”.
Tabelë
DISA NGA BASHKËPRODHIMET KINEMATOGRAFIKE MIDIS SHQIPËRISË DHE ITALISË
-L’AMERICA nga Gianni AMELIO
Mario e Vittorio Cecchi Gori / MIBACT / QKK – 1994
-HOTEL DAJTI nga Carmine FORNARI
CAVIAR PRODUZIONI / MIBACT / Fasada – 2001
-LETRA ERE nga Edmond BUDINA
ASP, Dodici Dicembre, Erafilm / MIBACT -2003
-I DASHUR ARMIK nga Gjergj XHUVANI
Akkord Film, AGV, Les Films de Cinéma / QKK -2003
-LINDJE, PERËNDIM, LINDJE nga Gjergj XHUVANI
High Point, AGV & Fast Reëind / MIBACT / QKK – 2009
-MUAJ MJALTI nga Goran PASKALJEVIC
Nova Film, SkaNdal / AFC / QKK -2009
-BALKAN BAZAR nga Edmond BUDINA
Erafilm, Mediaplex Italia / QKK -2011
-AMANETI nga Namik AJAZI
Mediavision, C.I.C. Communications / QKK – 2014
-BOTA nga Iris ELEZI & Thomas LOGORECI
Erafilm, Partner Media / MIBACT / QKK – 2014
-SËORN VIRGIN nga Laura BISPURI
Vivo Film, Colorado Film Prod., Bord Cadre Films, Erafilm / MIBACT – 2015
-ENGJËJT JANË LARG nga Gjergj XHUVANI
On Film Prod., Buka / QKK-2015
-TË THYER nga Edmond BUDINA
B Film, Revolver, K.T.FILM&MEDIA / MIBACT / QKK – 2016
-NA I FAL BORXHET TONA nga Antonio MORABITO
La Luna Srl, Peacock Film Ag, SkaNdal, Agresyëna Banda / MIBACT / QKK -2016
-PORTRETI I PAPËRFUNDUAR I CLARA BELLINIT nga Namik AJAZI
Mediavision, Movimento Film / MIBACT / QKK -2017
-LOJË PARASH nga Antonio MORABITO
Filter Film / MIBACT2017/ QKK -2017
NË KËRKIM TË MARUBIT
Ndërkohë, shumë kineastë të rinj duket se kanë gjetur te Shqipëria një hapësirë krijuese, që shumë shpejt mund të sjellë prodhime të përbashkëta kinematografike. Një prej tyre është edhe regjisorja e re Giulia Rosa, e pranishme në MiaMarket si përfaqësuese e “RomaLazio Film Commission”.
“Jam duke punuar për Roma Lazio Film Commission në Mia Market. Punoj për Roma Lazio Film Comission, që është komisioni i ngarkuar për të ndihmuar kompanitë e produksionit për të xhiruar filma dhe projekte audiovizuale në rajonin e Romës dhe përreth. Gjithashtu prodhoj dhe organizoj projekte të miat me disa kolegë, që janë gjithashtu miq të mirë të mitë. Dua që në veçanti të ndaj me ju një nga këta projekte, që është ngushtësisht i lidhur me Shqipërinë. Është një film për historinë e Marubit, ky fotograf shumë i famshëm lidhur me këtë territor”, deklaroi Giulia Rosa, Regjisore.
Rosa shprehet shumë optimiste për realizimin e këtij projekti ndërsa mendon se ka ende shumë për të zbuluar nga Shqipëria.
“Ne vërtet mendojmë se do ta realizojmë këtë projekt. Duhet akoma të zbulojmë sekrete nga territori juaj dhe mendojmë se lidhjet e mira ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë do të jenë pozitive për zhvillimin e këtij filmi dhe jo vetëm të tij. Ne mendojmë vërtet se bashkëveprimi italian me atë ballkanik është vërtet shumë i mirë për këtë fushë të këtyre produksioneve”, deklaroi Giulia Rosa, Regjisore.
Ndërsa flet për Marubin dhe jetën e tij, ajo vëren se ideja për realizimin e këtij filmi lindi nga skenaristi i projektit, por më pas edhe ajo u lidh fort me këtë ide. Ndërsa bën me dije se i pëlqen që pjesë të projektit të bëjë edhe kineastë të rinj nga Shqipëria.
“Ideja lindi nga skenaristi, që është nga Milano dhe ishte vërtet i pasionuar pas kësaj historie. Ai shkoi në Shqipëri të bëjë disa kërkime të shohë qytetin, ku Marubi ishte lindur. Ai gjeti shumë mbështetje nga njerëzit në Shqipëri dhe në kuptimin e mirë, ai ishte i çmendur pas kësaj historie. Ai vendosi ta shkruajë dhe gjeti grupin e punës këtu në Itali, që besojnë në këtë projekt. Mendoj se do të bashkëpunojmë edhe në sensin e përfshirjes së njerëzve nga Shqipëria si pjesë e ekipit të filmit. Mendoj se kjo është gjëja më e mirë për ne, të bashkëpunojmë, edhe në terma teknikë”, tha Giulia Rosa, Regjisore.
Giulia Rosa pohon se nuk di shumë për kinemanë shqiptare, porse e lidh kinemanë shqiptare me organizimin e “Balkan Film Market”.
“Nuk di shumë për kinemanë në Shqipëri. Por di që ka ura bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Italisë në fushën e kinemasë. Roma Lazio Film Comission përshembull organizon evente për ura të tilla bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit dhe Shqipërisë dhe nismave të tilla të ngjashme në Romë. Di që ka bashkëpunime të tilla më tepër nga pikëvështrimi i produksionit, por jo nga pikëvështrimi artistik. Besoj në këto bashkëpunime sepse mendoj se kemi shumë gjëra të përbashkëta, duke qenë se jemi edhe fqinj. Por unë kam dëgjuar gjëra të mrekullueshme për Balkan Film Market, edhe pse nuk e kam ndjekur. Shpresoj megjithatë, që të kem shansin të jem atje vitin e ardhshëm, mbase me zhvillimin e këtij projekti. E di që ishte një event i mahnitshëm, sepse disa kolegë të mi ishin atje dhe më treguan se ishte event shumë i frytshëm për projektet e tyre. Shpresoj t’ju shoh shumë shpejt vitin e ardhshëm në Shqipëri”, deklaroi Giulia Rosa, Regjisore.
Sipas Rosa-s, lidhjet midis Italisë dhe Shqipërisë megjithatë janë të ndjeshme dhe projektin për Marubin ajo e sheh si mundësi për të zhvilluar më tej të tilla raporte.
“Kur kam qenë në hapësirën e Ballkanit kam ndjerë lidhjet me stilin italian. Akoma nuk kam pasur mundësinë të zbuloj shumë nga ana artistike në lidhje me Shqipërinë, por me çfarë kam dëgjuar nga familja dhe kolegët, e njoh vendin nga pikëpamja e produksionit. Projekti për Marubin është një lloj mundësie për krijimin e urave të bashkëpunimit. E di që Shqipëria është një vend që po ngjall vëmendje në tregun e filmave. Kështu që mendoj se është mundësi e mirë për ne, të mësojmë dhe ndajmë projekte me vendin tuaj dhe njerëzit që punojnë atje”, deklaroi Giulia Rosa, Regjisore.
Nicola De Feo, një i ri i pasionuar pas kinemasë, student i historisë së religjioneve dhe gjuhësisë në universitetin “La Sapienza” është po ashtu i interesuar për të zbuluar më tepër nga historia dhe kultura shqiptare dhe ka filluar të xhirojë një film dokumentar në vendin tonë.
BEKTASHIZMI SHQIPTAR SI ‘ZBULIM’
“Kam një projekt mediatik për historinë e besimit fetar në Shqipëri, projekt, të cilin e kam filluar në korrik të vitit 2016 dhe bën fjalë për bektashizmin. Është diçka që nuk e kishim dëgjuar kurrë më parë në Itali. Kur unë dhe kolegia ime, Giulia Salvatore, një fotografe profesioniste nga Roma, bëmë një udhëtim në Shqipëri për pushime, në këtë vend shumë të bukur, zbuluam se komuniteti bektashi ishte shumë i përhapur dhe vendosëm të bëjmë këtë film. Vendosëm ta realizojmë këtë projekt gjatë rrugëtimit tonë nga Vlora në Tiranë, në Berat dhe së pari iu qasëm teqesë së bektashinjve në Gjirokastër. Shkuam atje me kamerën tonë, fletoret dhe lapsat tanë, duke u përpjekur të mësojmë diçka më tepër. Gjetëm dervishin e kësaj teqeje, i cili fliste vetëm shqip, kështu që patëm fillimisht disa probleme me përkthimin. Por, ai ishte shumë i sjellshëm. Na dha disa libra dhe u përpoqëm të komunikonim, fillimisht edhe me gjeste. Më pas vizituam edhe një teqe tjetër, teqeja e Melanit në Gjirokastër. Takuam disa njerëz shumë të mirë dhe dervishin e teqesë, që quhej Myrteza, që ishte shumë i këndshëm. Qëndruam atje për dy ditë. Folëm për besimin fetar, në veçanti për komunitetin bektashian dhe urdhërat sufi në të gjithë botën. Disa prej tyre janë edhe në rrezik sepse minoritetet në shumë vende janë në rrezik. Ai ishte shumë interesant. Qëndruam atje për dy ditë duke ngrënë dhe duke biseduar bashkë deri në mesnatë, duke pirë madje edhe raki e duke ndjekur momentet e tyre të lutjes etj. Ishte shumë interesante. Ishte një fshat shumë i vogël dhe të gjithë erdhën të flisnin me ne dhe ndjemë solidaritetin e tyre dhe patëm mundësi për të folur dhe për të krijuar lidhje”, tha Nicola de Feo, Regjisor.
Da Feo bën me dije se ka ndjekur nga afër edhe një festë në malin e Tomorrit dhe i ka bërë përshtypje që pjesë e festës ishin shumë njerëz, pavarësisht se kujt besimi fetar i përkisnin.
“Na ftuan në një festë në malin e Tomorrit, një festë ku ishin të ftuar të gjithë: kristianë, myslimanë, bektashianë… Ata festonin, hanin, kërcenin të gjithë së bashku me muzikë tradicionale bektashiane dhe ishte vërtet shumë e veçantë. Ne patëm mundësinë edhe të bëjmë një intervistë të shkurtër me baba Mondin dhe shkuam në Tiranë, në qendrën botërore të bektashizmit dhe bëmë intervista edhe aty. Duam të gjejmë mundësinë t’i bëjmë publike këto materiale në Itali, sepse në Italia ka shumë pak të dhëna për urdhërin Bektashi dhe për shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Por mendoj se njerëzit në Itali dhe në Shqipëri janë si motra dhe vëllezër dhe kemi shumë lidhje për të bërë. Ne jemi thjesht disa kineastë të rinj, por mund të bëjmë një bashkëpunim edhe me kineastë të rinj nga Shqipëria”, deklaroi Nicola de Feo, Regjisor.
Për studentin e ri nga Roma ky udhëtim në Shqipëri ishte një zbulim më vete, një botë që nuk priste ta gjente kaq afër Italisë.
“Ishte shumë interesante të gjeje urdhërat sufi. Edhe pse studioj histori të religjioneve më ngjasote si diçka shumë e largët nga India ose Pakistani, apo Azia e largët. Urdhëri sufi mendoj se është një urdhër shumë i madh, sepse shumë nejrëz në Shqipëri, në Ballkan dhe në Turqi e gjithë Evropën janë pjesë e këtij urdhëri. Është diçka që lidhet me historinë dhe traditën dhe përmban një vizion të hapur të mendjes për realitetin. Diçka që vërtet më preku është qëndrimi i hapur dhe paqedashës. E di që në shumë vende, si përshembull në Maqedoni, ka probleme me teqetë të zaptuara nga salafistët, por bektashinjtë në Shqipëri dhe baba Mondi sërish mbajnë një vizion të hapur të mendjes. Por solidariteti bektashian mendoj se është më karakteristik për shoqërinë shqiptare”, theksoi Nicola de Feo, Regjisor.
Ai pohon se ka në plan të vizitojë së shpejti edhe pjesë të tjera të Shqipërisë, ndërsa pjesë të projektit të tij filmik kërkon të bëjë edhe kineastë shqiptarë.
“ Unë nuk di shumë për kulturën shqiptare, sepse kam vizituar vetëm jugun e Shqipërisë. Mbase një ditë duke vazhduar këtë projekt do të vizitoj veriun dhe Kosovën. Vitin e shkuar isha në Budapest, Hungari dhe edhe atje kishte një teqe bektashiane. Gjithashtu ne kemi kontaktuar edhe me një bektashian nga Detroiti, SHBA, që ndodhej në Tiranë kuir ne ishim atje. Ishte një emigrant shqiptar që jetonte në SHBA prej shumë vitesh dhe na ftoi të vizitonim teqenë bektashiane në SHBA. Si kineast i ri e kemi bërë diçka vetë në mënyrë të pavarur dhe planfikojmë që duke prezantuar këtë projekt në disa universitete apo përmes shtypit local brenda disa muajsh mund të bëjmë diçka, duke bërë pjesë të projektit edhe kineastë të rinj shqiptarë”, deklaroi Nicola de Feo, Regjisor.
Ndërkohë ajo çfarë atij i ka mbetur në mendje nga Shqipëria përveç besimit bektashi është ngrohtësia dhe mikpritja e njerëzve.
“Kur mendoj për Shqipërinë mendoj për mikpritjen nga të gjithë dhe kudo. Të gjithë flasin italisht dhe u ndjemë shumë të lidhur. Të gjithë na thonin: Pini një birrë me ne, pini një kafe, eja të hamë bashkë etj. Shqipëria ka edhe një vijë bregdetare shumë të mirë gjithashtu dhe u ndjemë sin ë shtëpi. Veçanërisht në Tiranë, përballë universitetit ne bëmë shumë miq dhe ishte shumë argëtuese, sepse universiteti i Tiranës është shumë i ngjashëm me universitetin “La Sapienza”, besoj duke qenë projekte të njëjta nga periudha e kolonializmit. Është vërtet sikur të jetë e njëjta ndërtesë dhe kështu u ndjemë si në shtëpi e dhe atje”, deklaroi Nicola de Feo, Regjisor
Këto projekte të kineastëve italianë janë vetëm disa prej atyre që tregojnë interesin në rritje ndaj Shqipërisë si vend me potencial kinematografik. Ndërkohë, bashkëprodhimet filmike mes të dy vendeve vazhdojnë me projekte të filmave artistikë të metrazhit të gjatë. Një prej tyre, që po xhirohet këto ditë në Tiranë është filmi me regji të Namik Ajazit, “Portreti i pambaruar i Clara Bellinit”, i cili sjell në Shqipëri Remo Girone-n. Së bashku me skenaristin Ruzhdi Pulaha dhe një kast aktorësh shqiptarë e italianë, Ajazi sjell një histori të pamundur dashurie gjatë viteve të diktaturës mes një djali shqiptar dhe vajzës së një diplomati të lartë italian. Ngjarjet zhvillohen në fund të viteve ’70, fillim i ’80-ës dhe krahas historisë së dy të rinjve, tenton të sjellë edhe atmosferën e atyre viteve të vështira për shqiptarët. Filmi mbështetet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Ministria Italiane e Kulturës.
0 Comments: