MC Networking

Ja shërbimet që hotelet me 5 yje do i ofrojnë me TVSH 6%

Hotelet me 4 dhe 5 yje që do të marrin një status special do të përfitojnë një sërë lehtësish fiskale. 

Qeveria ka gati një paketë për turizmin e cila do synojnë tërheqjen e atyre që njihen si “brand name”(zinxhirë të njohur ndërkombëtare hotelesh).

Një pjesë të këtyre lehtësive qeveria i ka vendosur qysh në paketën fiskale 2018 ndërkohe që kriteret që do të përdoren për marrjen e statusit special pritet që të përcaktohen me një vendim të veçantë.

TVSH 6 % për furnizimin e shërbimeve në hotele

Pak para zgjedhjeve qeveria vendori që për të gjithë strukturat akomoduese në vend të ofrohej një shkallë Tatimi Mbi Vlerën e Shtuar në nivelin 6 për qind vetëm për furnizimin e shërbimit të fjetjes. Për hotelet me 5 yje që do të kenë statusin special (marka të mirënjohura) TVSH-ja e reduktuar do të shtrihet përtej shërbimit të fjetjes.

Kjo do të thotë që ato do të kenë këtë shkallë edhe për furnizimin e shërbimeve si bar-restorant, pishinë, sauna, shezlongje, masazhe, salla konferencash dhe çdo shërbim tjetër.

“Nisur dhe nga potencialet e mëdha, si nga pikëpamja gjeografike, klimaterike, etj në fushën e turizmit që ofron vendi ynë,  vlerësohet i nevojshëm promovimi dhe incentivimi i një turizmi gjithnjë e më shumë elitar, duke ofruar standarde të larta në strukturat akomoduese te nivelit “Hotel me pese yje, status special”. Kjo për të bërë të mundur thithjen e sa më shumë investitorëve të mëdhenj në vendin tonë, si dhe praninë e markave të mirënjohura në fushën e hotelerisë” thuhet në relacion në argumentim të politikave nxitëse.

Përjashtimi nga tatim fitimi

Statusi special çdo investitori në sektorin e turizmit do t’i jepet përmes kushteve të veçanta nga ana e qeverisë. Ai do ta ketë këtë status për një afat 10 vjeçar ku do të trajtohet me lehtësi fiskale duke mos paguar një sëri taksash.

“Në nenin 1 parashikohen përjashtimin nga tatim fitimi të Strukturave akomoduese “Strukturat akomoduese “Hotelet me 4 & 5 yje”, status special”, sipas përcaktimeve të ligjit të turizmit. Përjashtimi nga tatim fitimi i parashikuar sipas këtij paragrafi, aplikohet për një periudhë 10 vjeçare për ato struktura të cilat përfitojnë autorizimin nga Këshilli i Ministrave deri në vitin dhjetor 2024.

Efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special. Ky parashikim është bërë me qëllim dhënien e inventives në momentin e fillimit të aktivitetit ekonomik atëherë kur ky aktivitet realizon fitim” thuhet në relacion.

Taksa e infrastrukturës bëhet zero

Në draftin “Për taksat vendore” qeveria ka propozuar që hotelet me 4-5 yje që kanë status special të kenë taksë infrastrukture zero nga 4 për qind  të vlerës së investimit që është kjo për Tiranën dhe 1-3% për pjesën tjetër të vendit.

“Në kuadër të Paketës së Turizmit, duke qënë se taksa e ndikimit në infrastrukturë është një taksë që rëndon drejtpërdrejt dhe paguhet që në fillim të investimit, Qeveria ka ndërmarre incentiva lehtësuese me qëllim reduktimin e kostove të investitorëve në sektorin e turizmit, duke i përjashtuar nga pagimi i taksës së ndikimit në infrastrukture” thuhet në relacion.

Në të nuk bëhet një përmbledhje e efektit që do të ketë në buxhet pjesa e këtyre masave duke qenë se hotelet që do të përfitojnë nga statusi special ende nuk janë të përcaktuara dhe nuk ka një vlerësim konkret të investimeve potenciale.


 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top