MC Networking

“Lamtumirë gjeneral”/ I jepet lamtumira aktorit Bujar Lako

Personalitete të larta të shtetit, kulturës dhe artit, miq, familjarë dhe artdashës i japin sot lamtumirën e fundit aktorit Bujar Lako, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme si pasojë e një ataku kardiak. Aktorë, regjisorë dhe qytetarë të ndryshëm i kanë shprehur ngushëllimet familjes Lako. Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, kanë dërguar kurora lulesh në nderim të aktorit 68-vjeçar që ndërroi jetë mëngjesin e djeshëm.

Biografia

Bujar Lako lindi në Tiranë në vitin 1948. Karrierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave "Në fillim të verës" i G. Erebarës dhe "Përballimi" i V. Gjikës. Pas kësaj ai realizon një sërë figurash në rreth tridhjetë filma midis të cilëve: "Gjeneral gramafoni" V. Gjika, "Udha e shkronjave" V. Prifti, "Ballë per ballë” K. Çashku, P. Milkani, "Kthimi i ushtrisë se vdekur" dhe "Gurët e shtëpisë sime" Dh. Anagnosti, "Amiko" Cizia Zyke, produksion francez.

Në teatër ka interpretuar rreth shtatëdhjetë role, midis të cilëve veçomë: "Vizita e inspektorit" Xh. Pristli, (Dh. Pecani), `Monserati" E. Robles (P. Mani), "Vdekja e një komisioneri" A. Miler (F. Haxhiraj), "Vdekja e Dantonit" Byhner (V. Milçin), "Ditë vere" Mrozhek, (B. Lako), "Ariu" Çehov (S. Duni) etj. Në vitin 1992 interepreton në Teatrin e Kombësive ne Shkup në produksionin "Varrtarët" .

Në vitin 1975 nderohet me çmimin e veçantë per filmin "Përballimi". Në vitin 1979 çmimin e veçantë per filmin "Ballë per ballë". Në festivalin e filmit të vitit 1979 vlerësohet si aktori me i mirë i festivalit dhe nderohet me kupën e festivalit per rolin e Halit Beratit në filmin "Gjeneral gramafoni". Në vitin 1979 është lauruar me çmimin e Republikës së shkallës se pare, per filmat "Gjeneral Gramafoni" dhe "Ballë për ballë”. Në vitin 1982 është nderuar me urdhrin "Naim Frashëri" klasi i pare, per interpretim në teatër.

Në festivalin e filmit të vitit 1991 është shpallur aktori më i mirë për interpretimin e rolit të gjeneralit në filmin "Kthimi i ushtrisë se vdekur". Në vitin 1985 fiton titullin "Artist i Merituar". Në vitin 2005 ka marrë "Palmën e artë" si aktori më i mirë i Festivalit në edicionin e 29 "Cairo International Film Festival" me filmin "Megic Eye" të regjisorit Kujtim Çashku. 

Ky është çmimi më i madh i marrë nga një aktor shqiptar në një festival të kategorisë A. Në vitin 2013 iu dha titulli "Nder i Kombit" nga Presidenti i Republikës.

  

 

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top