MC Networking

‘21 Janari’/ Kikia: Transkripti pjesë e një skenari, mënyra e fundit që drejtësia ti qaset Berishës (VIDEO)

12 vjet pas ngjarjes tragjike në bulevard, kemi një kallëzim të ri kundër Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Lidhur me këtë, gazetari Mentor Kikia në MCN Live deklaroi se për një krim nuk është asnjëherë vonë për të bërë drejtësi dhe për të dënuar përgjegjësit.

Ai tha se refuzon ta quaj investim gazetaresk atë video-përgjim për të cilin shprehet se është hedhur për konsum publik, sepse pasi materiali u bë publik menjëherë Partia Socialiste kishte gati dhe reagimet. Sipas tij, gjithçka ka qenë e përgatitur.

Për një krim asnjëherë nuk është vonë, një krim duhet të ndëshkohet dhe jo më kot vrasja nuk bën pjesë te veprat penale që parashkruhet dhe përgjegjësit të shpëtojnë nga krimi për shkak të kalimit të kohës. Për 21 janarin do duhet të bëhet drejtësi, unë them se po në të gjitha përmasat dhe format. Të vijmë tek e reja, është një gjë me shumë të panjohura sepse ajo që është hedhur për konsum publik është zbardhja e një transkripti të përgjuar, është një audio regjistrim të komunikimit të gardës që ishin në detyrë atë ditë për ruajtjen e kryeministrisë. Do refuzoja ta quaja investim gazetaresk këtë material, është shumë larg tij, më ngjan një material i ofruar, rezervohem të them nga kush, sepse rezultoi sepse sapo materiali u bë publik PS i kishte gati reagimet dhe besoj se është në kufijtë e palejueshmërisë profesionale reagimi i ministrit të drejtësisë, pa marrë ende në duar materialin kishte gati akuzën, adresimin për në SPAK qartësisht mua më lë të dyshoj se ka qenë një gjë e përgatitur.

Më tej ai shtoi se duke qenë se ky vend është i mbushur me konspiracione, jo më kot tha se nuk është investigim gazetaresk, pasi sipas tij komunikimi me radio i institucioneve ka një central që e regjistron, ka një kanal të caktuar ku komunikojnë, policët, garda etj, ndërsa thekson se e gjithë kjo është një mënyrë që drejtësia ti qaset Berishës.

Ky është një regjistrim, por të quash sot provë të re se kreu i gardës urdhëron të qëllojë është budallallëk sepse dihet që është komandanti i gardës ai që urdhëron vartësit e tij. Kjo nuk është provë as e re as e vjetër, në gardë ka një protokoll se si veprohet përmes urdhrit se kush urdhëron kë. PS, qeveria mund ta kishte bërë denoncimin me kohë, por mendoj se kjo është një përpjekje për të shkuar te Berisha sepse s’ka rrugë tjetër për t’ju qasur Berishës. Mendoj se 21 janari është mënyra e fundit që drejtësia ti qaset Berishës dhe duke qenë se në aspektin e hetimeve të mëparshme ku nuk rezulton se Berisha të ketë pasur një armë dhe të ketë qëlluar drejtpërdrejtë te njerëzit, dhe nuk ka një urdhër të dhënë për të qëlluar, them se ka ca hendeqe se ku Berisha mund të bjerë brenda dhe këto janë nëse komandanti i gardës rikthehet në akuzë. Pra besoj se kjo është një përpjekje për të gjetur një hapësirë që Berisha të përballet me 21 janarin.

Ky material shprehet Kikia nuk është zbardhur tani, ndërsa beson se kjo është pjesë e luftës politike e cila nuk luhet vetëm me mitingje.

Tani duhet të shohim se deri ku do shkojë prokuroria. SPAK-un e shoh më të predispozuar për ta rihapur këtë çështje do duhet të shohim nëse do të kemi dhe druaj se po do të kemi zhvillime të reja të paktën deri në ngritjen e akuzave paraprake nëse do ketë akuza në nivelin e Berishës apo jo. Transkripti është pjesë e një skenari që në aspektin e hetimit nuk sjell asgjë të re, sepse kushdo që ka punuar në atë dosje e dinë se ushtarët kanë qëlluar me urdhër të komandantit.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top