MC Networking

Mediu nuk i bashkohet protestës së 6 dhjetorit: Opozita të mos krijojë keqkuptime! Tërheqja e BE nga granti për portin, kambanë alarmi (VIDEO)

Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu në një intervistë për gazetaren Greta Bullari në MCN Live, tha se tërheqja e BE-së nga granti për Portin e Durrësit është një kambanë alarmi për Shqipërinë.

I pyetur mbi protestën e 6 dhjetorit, Mediu tha se atë ditë do të marrë pjesë në disa evente të tjera të rëndësishme, duke theksuar se opozita s’duhet të lërë shteg për keqkuptime dhe keqinterpretime, në lidhje me raportet e saj me institucionet e BE-së.

Mbi zhvillimet në Kuvend, Mediu tha: “Rregullorja përcakton qartë ndarjen e kohës në grupe. I gjithë debati që bëhet është i papërgjegjshëm për të kufizuar kohën e deputetëve. Vendimi që mori Kryesia e Kuvendit ishte vendimi i drejtë, duke respektuar rregulloren”.

Mediu vuri në dukje gjithashtu se investime të tilla si ai në Portin Turistik i Durrësit nuk duhet të krijojnë probleme sa i takon sigurisë, duke qenë se Shqipëria është anëtare e NATO-s.

E rëndësishme është të zbatohet ligji dhe të ketë transparencë. Mos harrojmë që vendet e BE nuk lejojnë kompani Shell apo offshore, pa deklaruar burimet e financimit. Ka një politikë të rëndësishme në lidhje me sigurinë. Kujtojmë që Stoltenberg tha që ne s’mund ta shesim sigurinë për përfitimet tona monetare. Çdo investim i një niveli të tillë do krijonte problem në të ardhmen nëse s’do ishin investime të sigurta dhe investitor i sigurt. KE dhe PE kanë shprehur shqetësimin sa i përket transparencës së investimeve. Tërheqja e investimit nga BE është zile alarmi për Shqipërinë. Duhet të ketë transparencë të plotë mbi shkaqet e kësaj tërheqje dhe sa e afektojnë këto investimet e BE. Nëse duam të organizojmë një samit nuk është çështje PR, por politikash konkrete, të marrëdhënieve financiare me institucionet e BE. Çdo shqetësim që vjen nga PE duhet të vlerësohet nga Parlamenti dhe institucionet tona. Hapësirat që i krijohen Rusisë dhe Kinës janë në dëm të vendit tonë. Të gjitha nismat rajone duhet të synojnë  të frenojnë influencën ruse dhe kineze në Ballkan. Procesi i Berlinit është i mbështetur, i fianancuar dhe i monitoruar nga BE dhe ky është interesi ynë sepse integrimi ynë është sa politik aq edhe ekonomik. Një marrëdhënie e tillë vlen shumë më tepër, është iniciativë e tre deteve, janë investime në infrastrukturë, në energji, në teknologji. Ne duhet të kemi dy orientime, BE-në dhe NATO-n. Çdo orientim jashtë BE-së dhe NATO-s do ishte në dëm të interesave tona.

6 dhjetori, Samiti, nuk është kontribut i qeverisë Rama, por kontribut i shqiptarëve në këto vite, kontribut i atyre që krijuan vizionin evropian, të djathtës, është hap i rëndësishëm... Ajo që më shqetëson është që takimet shfrytëzohen si PR dhe në implementim dhe hapa konkretë jemi shumë mbrapa. Është e rëndësishme që krahas këtyre takimeve të kthejmë standardin e lirisë, të të drejtave, të zgjedhjeve, funksionimit të institucioneve, kjo është Evropa që u duhet shqiptarëve. Unë jam në një takim që zhvillon IDU në SHBA, që është planifikuar prej kohësh dhe si kreu i PR do jem prezent në forum, që është i rëndësishëm si për PR ashtu edhe PD. Është gjithashtu një Samit që organizohet nga Asambleja Parlamentare e NATO-s dhe një forum inteligjence, ku kam qenë pjesë e organizimit. Është e rëndësishme që opozita në çdo veprim të saj s’duhet të krijojë keqkuptime. Opozita e ka të detyruar një marrëdhënie të qartë dhe të drejtë, me partnerët tanë të Partive Popullore, Partive Konservatore, institucionet e PE,  me institucionet e KE, sa i përket veprimeve të saj që të mos lënë shteg për keqinterpretim. Çdo keqintepretim do ishte i vështirë për t'u menaxhuar më mbrapa dhe në dëm të opozitës. Mazhoranca ka filluar për ta përdorur dhe përballë opozita duhet të gjejë mënyrën e veprimit të vet. Është e rëndësishme që në këtë proces të kemi konsultim sa më të gjerë opozitar dhe sa më të gjerë me aleatët tanë. Marrëdhënia jonë me BE dhe SHBA është shumë e rëndësishme”.

  • Comments

0 Comments:

Copyright © 2015 MCN TV Të gjitha të drejtat e rezervuara
Dizenjuar dhe Programuar nga MCN
Scroll to Top