MC Networking

Ushtria merr kontrollin e Albcontrol-it

Ndërtesa e Albcontrol do të vihet nën kontrollin e Forcave të Armatosura. Këtë vendim e bëri të ditur ministrja Belinda Balluku, në një dalje për mediat.

Ajo përsëriti se bllokimi i fluturimeve cenon sigurinë e vendit dhe në këto kushte Albcontrol do të jetë nën kontrollin e ushtrisë, pasi punonjësit e saj nuk gëzojnë më besimin e autoriteteve.

Nga ky moment, ndërtesa do të merret në kontroll nga Forcat e Armatosura.

Balluku tha se ata janë kthyer në masha të politikës.

Pesë mashat e politikës e bëtë sot institucionin më të rëndësishëm të transportit dyqan me qepen. Është marrë një kredi nga Albcontrol-i nga Eurocontrol-i dhe paguhet kësti që përdoret për të paguar pagat tuaja.

Kontrollorët e AlbControl bojkotuan sot punën për të protestuar për uljen e pagave. Ata kundërshtojnë reduktimin e pagave me 70%, një vendim ky i prillit të vitit të kaluar. AlbControl është një kompani me kapital 100% shtetëror dhe në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës.

Më herët, gjatë një daljeje live nga aeroporti i Rinasit, Balluku tha se greva të kësaj kategorie shërbimesh janë në shkelje të ligjit.

Balluku tha se reduktimi i pagave ka ardhur për shkak të uljes së trafikut ajror. Ato nuk gjenerohen nga buxheti i shtetit dhe sipas Ballukut janë mjaftueshëm të larta për të mos shkaktuar probleme ekonomike.  

Vetëm pak minuta pas njoftimit të Ballukut, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, publikoi një video që tregon mbërritjen e Forcave të Armatosura në Rinas.

Aeroporti i Rinasit Nënë Tereza është objekt strategjik me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare. Strukturat tona të Forcave të Armatosura, si pjesë integrale e aeroportit, kanë rritur vigjilencën për të garantuar ruajtjen e perimetrit të sigurisë së aeroportit veçanërisht pas bojkotimit të punës nga kontrollorët e kompanise së aviacionit civil Albcontrol sha”, shkruan ai.

 

 

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top