MC Networking

Vrasja e Hekuran Billës/ Zbulohet kush është i dyshuari i tretë, i morën kampion ADN-je në burg

Prokuroria e Tiranës vijon hetimet për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të vrasjes së shtetasit Hekuran Billa, ngjarje kjo e ndodhur në muajin maj 2020, në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Nga veprimet hetimore të kryera në mjetin e autorëve që u gjet në Prezë pas ngjarjes, burimet nga grupi hetimor bëjnë të ditur se janë zbuluar disa gjurmë ADN-je. Për këtë, së fundmi u desh që të merrej edhe kampion ADN-je tek një i dyshuar i tretë, që mund të ketë marrë pjesë në vrasje.

Ky shtetas që i është marrë kampioni i ADN-së, ndodhej në burg për një tjetër vepër penale, por që kohën kur u vra Hekuran Billa ai ndodhej i lirë. Burimet për MCN TV, bënë të ditur se bëhet fjalë për shtetasi Gj. P. Këtij të fundit i është marrë kampioni në burgun e Reçit, aty ku edhe mbahej në paraburgim për një tjetër vepër. Ndërkohë, të njëjtat burime theksuan se ky person është liruar tashmë nga burgu, edhe pse i është marrë kampioni i ADN, si i dyshuar në vrasjen e ndodhur në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.

(Vendi ku u vra Hekuran Billa)

Nga ana tjetër, burimet nga prokuroria bënë të ditur se ADN-ja e këtij personi do të krahasohet me ADN-në e gjetur në mjetin e autorëve tip “Nisan Micra”, të cilën e braktisën në periferi të Tiranës menjëherë pas vrasjes. Për ekzekutimin mafioz të Hekuran Billës, në burg mbahen tre persona, Viktor Marku, nipi i tij Sebastian Mali dhe ish-e dashura e viktimës, Adiola Lakra.

(Adiola Lakra)

Kujtojmë që Billa u ekstradua nga Anglia, ku u dënua me 25 vite burg për vrasjen e vëllait të shtetasit Viktor Marku, pas një konflikti të çastit. Vendimit e dënimit, Billa kërkoi ta bënte në vendin e tij, ku edhe kreu disa vite në Fushë-Krujë. Disa muaj para vrasjes, ai u lirua me kush me një vendim të Gjykatës së Krujës, pikërisht nga gjyqtarja Enkeleida Hoxha, e cila tashmë është arrestuar për akuzën e korrupsionit.

  • Comments

0 Comments:

Scroll to Top